Gjatë kohës që ishte në gjykatë nuk tha pothuajse asgjë, por në momentin e kthimit në Florida, përpara mbështetësve të tij Donald Trump përmendi laptopin e vjedhur të djalit të Joe Bidenit, Hunter, përsëriti edhe një herë bindjen e tij se zgjedhjet presidenciale të 2020-tës u vodhën e u ankua për bastisjen e FBI-së në rezidencën e tij në Mar-A-Lago  për të marrë dokumente të klasifikuara.

Ish kreu i shtetit e cilësoi aktakuzën e ngritur ndaj tij në Nju Jork, si më të fundit të një serie sulmesh me hetime mashtruese.

“Kjo aktpadi e rreme u ngrit vetëm për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2024 dhe duhet të mbyllet menjëherë. Nuk kam menduar kurrë se diçka e tillë mund të ndodhte në Amerikë. Kështu si e ka nisur, vendin tonë do ta marrë lumi. Krimi i vetëm që kam kryer ka qenë mbrojtja pa frikë e tij ndaj atyre që kërkojnë ta shkatërrojnë”, tha Trump.

Shumica e republikanëve që po kandidojnë për Shtëpinë e Bardhë ose që kanë në plan të shpallin kandidaturën kanë shprehur mbështetjen për të. Përmes deklaratave ata janë shprehur se hetimet ndaj Trump janë të motivuara politikisht. Edhe vetë rivali i tij kryesor për nominimin republikan,  guvernatori Ron DeSantis tha përmes një postimi në Twitter se ngritja e aktakuzës ishte joamerikane.

“Përdorimi politikisht i sistemit tonë të drejtësisë për të avancuar një axhendë politike e kthen me kokë poshtë zbatimin e ligjit”, ka shkruar ai.

Pak demokratë kanë reaguar në lidhje me këtë gjë. Prokurorët argumentojnë se Trump falsifikoi të dhënat e biznesit në Nju Jork për të fshehur një përpjekje të paligjshme për të minuar integritetin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, si dhe shkelje të tjera të ligjeve zgjedhore. Gjithsej janë 34 akuza të ngritura kundër ish presidentit, që vetë u deklaruar i pafajshëm në sallën e gjyqit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA