Policia izraelite sulmuan në orët e para të ditës së sotme kompleksin e xhamisë së Al-Aksasë në Jeruzalem dhe arrestuan më shumë se 350 vetë.

Sulmi erdhi vetëm pak ditë pasi një i ri palestinez u vra përpara vendit të shenjtë. Skena përplasjesh të dhunshme u regjistruan përpara xhamisë së famshme. Pamjet filmike u përhapën me shpejtësi në internet, ndërsa dëshmitarë okularë rrëfyen se forcat izraelite thyen dyer e dritare, lëshuan bomba tymuese e qëlluan mbi turmën me plumba gome.

Të paktën 14 persona raportohet të kenë mbetur të plagosur. Autoritetet e shtetit hebre e përkufizuan aksionin si një “bastisje në ndjekje të agjitatorëve”. Militantë të maskuar, sipas policisë, u mbyllën brenda xhamisë me fishekzjarrë, shkopinj dhe gurë.

“Kur efektivët hynë në xhami, drejt tyre u lëshuan gurë e fishekzjarre”, thuhet në deklaratë.

Pas dhunës në Al-Aksa, disa raketa u lëshuan drejt Izraelit nga veriu i Gazës. Ushtria izraelite tha se të paktën pesë raketa u kapën nga sistemi i mbrojtjes ajrore rreth qytetit të Sderot në jug të Izrael-it, ndërsa katër të tjera ranë në zona të pabanuara. Në Gaza, dhjetëra demonstrues dolën në rrugë duke djegur goma.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA