Një shef i lartë i energjisë në Rusi është gjetur i vdekur në rrethana misterioze, pasi u akuzua për marrje ryshfeti.
Trupi i Igor Shkurko, 49 vjeç, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i kompanisë ruse të energjisë Yakutskenergo, u zbulua dje në qelinë e tij në një qendër paraburgimi në Yakutsk.
Një varg vdekjesh të pashpjegueshme po ndodhin që nga fillimi i luftës së Vladimir Putin në Ukrainë më shumë se 13 muaj më parë.
Autoritetet ruse nuk kanë dhënë detaje se si vdiq Shkurko, ndërsa pohojnë se në bazë të ‘të dhënave paraprake’ nuk ka pasur shenja vrasjeje.
Kompania e tij lëshoi një deklaratë duke thënë: Ne do ta kujtojmë atë si një person të hapur, mikpritës, me zemër të madhe dhe një sens të mirë humori.
Shkurko i martuar dhe me dy djem, i cili kishte të ardhura të larta, akuzohej se kishte kërkuar një ryshfet prej 5000 paund.
Ai ishte anëtar i partisë politike pro-Putin Rusia e Bashkuar. Anëtarësimi i tij u pezullua kur u akuzua për ryshfet.
Shërbimi Federal i Ndëshkimit Rus në një deklaratë tha: Më 4 prill, i akuzuari u gjet në një qeli të qendrës së paraburgimit pa shenja jete. Punonjësit mjekësorë që mbërritën konstatuan vdekjen e tij. Në vendngjarje është thirrur një grup hetimor. Sipas të dhënave paraprake nuk janë konstatuar shenja që ngrejnë dyshime për vrasje.
Ai ishte përgjegjës për anën e menaxhimit teknik të Yakutskenergo, e cila furnizon me energji rajonin më të ftohtë në botë, Yakutia.
Top Channel