Kur do të hyjmë në BE? Ambasadorja në Top Story: Më besoni askush nuk mund t’ju japë një datë, varet vetëm nga ju

05/04/2023 23:15

Moderatorja e “Top Story” Grida Duma zhvilloi një intervistë me ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Christiane Hohmann.

Ambasadorja u pyet për shumë çështje të rëndësishme të Shqipërisë, përfshirë edhe anëtarësimin në BE.

Për sa i përket periudhës se kur do të ndodhë kjo gjë e rëndësishme ajo ka zbuluar se i gjithë procesi do të evoluojë në bazë të plotësimit të kritereve kryesore.

Ndër të tjera Hohmann shtoi se aktualisht procesi është në fazën e parë, por theksoi se gjithçka po shkon sipas një agjende ambicioze.

Top Channel: Kënaqësi e vërtetë që do të bëjmë një intervistë për Top Story me Ambasadoren e Bashkimit Evropian në këto momente në të cilat Shqipëria, në fakt, duket sikur është në thelbin e tranzicionit të institucioneve të veta drejt demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Faleminderit dhe e di që për ju intervistat janë të rralla. Pse keni zgjedhur të flisni pak në televizione?

Ambasadorja: Së pari, ju falënderoj shumë që më keni ftuar në emisionin tuaj. Mendoj se ka të bëjë më shumë me veprimet sesa me fjalët, kështu që çështja është që ne, si Bashkim Evropian, jemi këtu si partnerë të popullit shqiptar, në fakt, për ta shtyrë vendin për t’u bërë një anëtar i plotë i BE-së. Kjo është ajo që unë dua të shoh. Pra, nuk është se duhet të shkoj në media që njerëzit të më shohin më shumë, në fakt, janë veprimet përmes të cilave duam të bindim.

Top Channel: E dini që ndër vite shqiptarët në Ballkanin Perëndimor janë populli që është më shumë pro hyrjes së Shqipërisë, vendit të tyre, në Bashkimin Evropian. Por shifrat kanë rënë në vitet e fundit, besimi që Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Evropian ka rënë. Ne e kemi konsideruar këtë gjënë më të rëndësishme, asetin më të rëndësishëm, për të hyrë dhe për të qenë anëtarë të BE-së. Në fakt, ka rënë besimi, sepse edhe procesi është i tejzgjatur. Le të themi se në 2011, kur unë personalisht ndiqja integrimin evropian në një pozitë tjetër, thoshim se maksimumi do të zgjasë edhe tetë apo nëntë vite. Kanë kaluar shumë më tepër se tetë dhe nëntë, këtë e kanë thënë dhe më përpara, kur do të hyjmë në Bashkimin Evropian, kur do të bëhemi anëtarë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian?

Ambasadorja: Nëse do të kisha një sferë kristali të përsosur, do ta nxirrja, por nuk e kam, sepse janë shumë faktorë që vendosin në të vërtetë, dhe një nga faktorët më të rëndësishëm është, në fakt, shpejtësia dhe intensiteti me të cilin ndiqen reformat, që janë të nevojshme në Shqipëri për t’u anëtarësuar realisht në BE. Pra, nëse kapitali politik përdoret plotësisht dhe njerëzit i ndjekin dhe i zbatojnë vërtet reformat e nevojshme, është një rrugë e gjatë, por kjo, në fakt, e afron vendin gjithnjë e më shumë. Pra, kemi shumë detyra për të përmbushur dhe po flas për rreth mijëra ligje që duhet të miratohen për të përmbushur ato që ne i quajmë acquis të BE-së, që është thjesht korpusi ligjor. Por çështja për mua është se realiteti për njerëzit e këtij vendi duhet të bëhet më evropian dhe kjo është një sfidë më e madhe, dhe kjo është ajo që kërkon kohë. Dhe në fakt, vërtet askush nuk mund t’ju japë një datë apo një vit të caktuar kur Shqipëria do të anëtarësohet përfundimisht në BE. Ajo që mund t’ju jap është angazhimi nga ana jonë që duam ta shohim Shqipërinë në BE sa më shpejt.

Top Channel: Në fakt, unë që e kam lexuar brenda politikës, por edhe si politikë të jashtme, sjelljen e Brukselit me Tiranën apo me Shqipërinë, mund të them se ardhja juaj këtu, e një diplomateje të rangut të lartë, tregon që Shqipëria ka fokus të veçantë. Ju e kishit imagjinuar ndonjëherë që do të vinit të Shqipëri pas një përvoje në Shtetet e Bashkuara, pas një përvoje në vendet me rëndësi gjeopolitike të Lindjes? Shqipëria është një vend i vogël.

Ambasadorja: Kjo nuk ka të bëjë me madhësinë e vendit. Për ne si diplomatë, në fakt, shpesh ka të bëjë me atë se çfarë mund të kontribuoj unë personalisht në lidhje me punën. Pra, këtu bëhet fjalë, në fakt, për promovimin e reformave, për të ndihmuar njerëzit të ndiejnë jo vetëm se Evropa është këtu, sepse ne kemi vite që punojmë, por se anëtarësimi në Bashkimin Evropian po afrohet. Ky është një pozicion emocionues për ne.

Top Channel: Pra, është një shenjë që është duke ardhur më afër, ashtu siç unë e lexoj.

Ambasadorja: Ashtu është. Procesin e negociatave e kemi filluar vitin e kaluar, dhe ai ka faza të ndryshme. Jemi në fazën e parë, por për momentin gjithçka po shkon sipas një agjende ambicioze. Pra, ne po punojmë vërtet me përkushtim, por janë ndryshimet që kërkojnë shumë më tepër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA