Rrugëtimi i Bayern Munich në Kupën e Gjermanisë përfundoi në çerekfinale me bavarezët që u mposhtën 1-2 ndaj Freiburg.
Disfata bëhet edhe më e dhimbshme kur miqtë përmbysën avantazhin dhe realizuan golin e fitores në minutën e 95-të me Holer që nuk gaboi nga pika e bardhë.
Ky eliminim irritoi jashtë mase trajnerit Thomas Tuchel i cili pas sfidës theksoi se lojtarët e tij duhej të tregoheshin më të qëndrueshëm në fushë dhe se në zonën e tyre duhet të “tregojnë muskujt”, e jo të humbisnin dy duele ashtu siç ndodhi në rastin e penalltisë në fundin e lojës.
“Humbëm dy duele ajrore para se ata të fitonin penalltinë në minutën e fundit. Në atë moment duhet të tregosh fuqinë, të mbizotërosh ndaj kundërshtarit. Dua që lojtarët e mi të jenë më të fortë. Nuk mund ta lejoj që të humbasim topin e parë, të dytë dhe të tretë në zonë, në minutën e fundit të ndeshjes”, u shpreh Tuchel.
Nga ana tjetër, tekniku gjerman nuk kurseu as Jamal Musialën i cili po ashtu ishte fajtor në momentin e penalltisë me topin që u përplas në dorën e mesfushorit. Tuchel theksoi se fantazisti nuk mund të ketë atë sjellje në zonë pasi rrezikon skuadrën.
Top Channel