Bashkimi Evropian ka mbajtur një qasje të ndryshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe për sa i përket nominimit “non grata” të kreut të Foltores, Sali Berisha.
Në një intervistë për “Top Story” me Grida Dumën, ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann ka “lundruar në të njëjtat ujëra” me zyrtarët e tjerë evropian, kur rithekson se arsyeja pse BE ruan një tjetër qëndrim nga SHBA dhe Britania për personat e vendosur në listën e zezë është se mekanizmi i bllokut është shumë i ndryshëm nga i tyre.
“Është një vendim i Këshillit, që do të thotë i 27 shteteve anëtare. Nuk është vendim i Komisionit”- tha Hohmann.
E pyetur nëse është takuar apo a do të takohet me Berishën, ambasadorja evropiane përgjigjet negativisht. Megjithatë, shkak sipas saj është se fusha të cilën ajo mbulon fokusohet tek aspekti i integrimit evropian.
Pjesë nga diskutimi:
Top Channel: Bashkimi Evropian ka mbajtur një qasje të ndryshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe për sa i përket nominimit “non grata”. Së fundmi, edhe Borrell u shpreh se jo, ne nuk kemi një mekanizëm të tillë të auditimit dhe të emërtimit non grata. Kjo do të thotë që ju përsëri bëni dy hapa pas në raport me politikën e jashtme dhe ia lini këtë ta udhëheqin Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo kjo do të thotë që ju keni qëndrim të ndryshëm për çështjen e non grata-s të Sali Berishës apo kujtdo tjetër? Është pyetje e sikletshme.
Ambasadorja: Nuk është pyetje me sikletshme, në fakt, është mjaft e drejtpërdrejtë. Mekanizmi në Bashkimin Evropian është shumë i ndryshëm. Është një vendim i Këshillit, që do të thotë i 27 shteteve anëtare. Nuk është vendim i Komisionit. Pra, kjo është ajo që tha Përfaqësuesi i Lartë Borrell në konferencë këtu, se në Këshill nuk ka një nismë të tillë për të listuar një shtetas shqiptar, dhe gjithashtu, në dijeninë time, nuk ka asnjë nismë mes shteteve anëtare për të listuar një person. Sigurisht që BE ka listuar individë, por jo për Shqipërinë.
Top Channel: Ju e takoni Sali Berishën?
Ambasadorja: Jo.
Top Channel: Nuk e keni takuar.
Ambasadorja: Jo, sepse fokusi im është tek aspekti i integrimit evropian. Kjo është arsyeja pse unë ndjek këtë linjë. Nuk ka të bëjë me persona individualë, ka të bëjë me atë që po përpiqemi të arrijmë këtu. Ne duam ta çojmë vendin përpara, pra, për këtë diskutojmë, ku qëndron parlamenti në këtë proces, dhe këtu kemi pasur shumë diskutime për rritjen e rolit të parlamentit, i cili është shumë vendimtar për t’i përfshirë të gjithë në gjithë këtë debat.
Top Channel