
Me ardhjen e pranverës dhe çeljen e luleve alergjitë ndaj poleneve janë shndërruar si një epidemi.
Mjekët alergologe thonë se pandemia e Covid 19 por edhe kushtet klimatike kanë ndikuar jo vetëm në zgjatjen e periudhës së alergjive por edhe në agresivitetin e simptomave që shkaktohen.
“1- në 4 adultë preken nga alergjitë dhe janë pothuajse 20% të të rinjve të prekur”, tha Mehmet Hoxha, shefi i shërbimit të alerogologjisë së QSUT.
Alergjitë fillonin në muajin prill por mjekët thonë se është zgjatur si periudha e fillimit ashtu edhe e përfundimit të tyre.
“Nëse më parë fillonte në prill tani ka avancuar në dy javët e marsit dhe simptomat nuk janë më thjesht një skuqje hunde, kruajtje, një tështimë apo lotim, por prek rrugët e poshtë respiratore deri dhe azmë apo kriza të forta që nuk mjafton të shkosh deri te farmacia”, shtoi Hoxha.
Por nuk janë vetëm polenët e luleve ato që shkaktojnë alergjitë pasi sipas mjekëve alergologë ka një sërë faktorësh ambientalë.
Ngrohja globale, ndryshimi i kushteve klimatike dhe ndotja mjedisore. Për të gjithë personat që vuajnë nga alergjia në muajt mars – prill – maj – qershor, shefi i shërbimit të alergologjisë këshillon të bëhet vaksina në muajin shtator.
Top Channel