“Open Balkan po jep rezultat”/ Maqedonia e Veriut dhe Serbia firmosin marrëveshje të reja, Beogradi fton Kosovën

01/04/2023 08:30

Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë nënshkruar tre memorandume bashkëpunimi gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit Dimitar Kovaçevski në Beograd. Sipas krerëve të dy qeverive, vendet kanë pasur përfitime ekonomike nga nisma Ballkani i Hapur.

Kovaçevski ka thënë se kjo është iniciativë në të cilën kryeson ekonomia dhe jo temat politike.

 “Çdo iniciativë ka kundërshtaret e vet dhe kritikët, por kjo nismë edhe kritikat që i bëhen janë të bazuara në supozime dhe jo në të dhëna reale. Me kryeministren Bërnabiç ne folëm vetëm për përfitimet ekonomike, për eksportet e Maqedonisë së Veriut në Serbi, numri e turistëve nga Serbia në Maqedoni dhe anasjelltas. Shkurtimet në kosh që kanë ndodhur mes tre vendeve për transportin e mallrave dhe njerëzve është edhe një dëshmi se nisma Ballkani i hapur po funksionon dhe po jep rezultate”, tha Dimitar Kovaçevski.

Ndërsa kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, ka thënë se Ballkani i Hapur nuk është në kundërshtim me Procesin e Berlinit. Lidhur me këtë, ajo ka përmendur edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti

“Kjo nismë njësoj si Procesi i Berlinit është në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian pasi kemi një qarkullim të lirë të mallrave, të njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit. Por, kjo nismë kundërshtohet nga Albin Kurti, sepse ai e cilëson si jo në përputhje me parimet e Bashkimit Evropian. Kjo tregon shumë për sinqeritetin e tij politik. Nisma po përdoret politikisht në Europë dhe mendoj se ka afektuar një pjesë të popullsisë shqiptare, ndërsa pjesa më e madhe jam e sigurt se nuk e mbështesin pasi kanë shumë për të përfituar po të bëhej Prishtina pjesë e nismës Ballkani i hapur dhe gjithmonë dyert janë të hapura”, Ana Bërnabiç.

Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë nënshkruar memorandum për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në kufirin Tabanoc-Preshevë që është rrjedhojë e procesit të Ballkanit të Hapur, memorandum për pagesë elektronike në pikat e pagesës rrugore, si dhe në fushën e energjetikës dhe të minierave. Kovaçevski gjatë vizitës së tij takoi edhe presidentin serb Aleksadnër Vuçiç, ndërsa pati edhe një tryezë të përbashkët mes dy delegacioneve.

 

 

Top Channel