Një grup prej 93 migrantësh, të cilët u deportuan nga Kroacia në Bosnje e Hercegovinë , mëngjesin e 31 marsit, ndodhen në Qendrën e pranimit të përkohshëm në Lipa.
Ata erdhën në këtë qendër të shoqëruar nga Policia kufitare e Bosnje e Hercegovinës, në koordinim me Shërbimin për çështjet me të huajt.
Mustafa Ruzhniq, drejtues i qeverisë së Kantonit të Una-Sana, tha për Radion Evropa e Lirë se më 30 mars, rreth 80 emigrantë arritën në Bosnje e Hercegovinë nga Kroacia dhe u dërguan në Qendrën në Lipa, nën përcjelljen e pjesëtarëve të policisë kufitare.
“Kam kërkuar informacione nga Ministria e Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Shërbimi për çështjet me të huajt dhe Këshilli i Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, se për cilët migrantë bëhet fjalë dhe pse ata u zhvendosën nga Kroacia në Bosnje e Hercegovinë”, tha Ruzhniq për Radion Evropa e Lirë (REL), duke shtuar se ai ende nuk ka marrë përgjigje.
Shërbimi për çështjet me të huajt nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë lidhur me deportimin e migrantëve nga Kroacia.
Ministria e Sigurisë e Bosnje e Hercegovinës tha për REL-in se sipas marrëveshjes për ripranimin midis BeH-së dhe Kroacisë, emigrantët sillen në pikën kufitare.
“Kjo është një procedurë e rregullt dhe kjo është ajo që ne bëjmë ndaj Serbisë dhe Malit të Zi, sipas marrëveshjes me ato vende, ndërkaq ata më pas i kthejnë në vendet, të cilat i kthejnë kah vendet e tjera”, tha Admir Malagiq, zëdhënës i Ministrisë së Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës.
Ministria e Punëve të Brendshme të Kroacisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se për cilët migrantë bëhet fjalë.
Në Qendrën e Përkohshme Lipa janë akomoduar rreth 150 migrantë. Kjo qendër drejtohet nga Shërbimi për çështjet me të huajt të Bosnje e Hercegovinës.
Qendra është e pajisur dhe mund të strehojë rreth 1.500 migrantë./Rel
Top Channel