Incidentet në veri të Kosovës/ Haradinaj: Skenar për pengimin e zgjedhjeve

31/03/2023 13:27

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se incidentet e ditëve të fundit në veri, janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri, me pasoja edhe për sigurinë në atë zonë.

Refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje, tregon mungesën e gatishmërinë së palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel, sipas tij.

“Serbia dhe Kosova duhet që urgjentisht të fillojnë me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit. Presidenti i Serbisë të heqë dorë nga destruktiviteti dhe t’i urdhërojë njerëzit e tij që të heqin dorë nga sulmet e dhunshme. Njëkohësisht, kërkoj nga BE dhe SHBA që të shfrytëzojnë gjithë mekanizmat e tyre që ta mbrojnë suksesin e arritur me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të sponsorizuar prej tyre, si bazë e fortë e rivendosjes së rendit dhe ligjit në veri të Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Haradinajt, rastet e djegieve të makinave me targat RKS në veri të Kosovës, janë skenar për të penguar procesin zgjedhor aty.

“Incidentet e 2-3 ditëve të fundit në veri, janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri, me pasoja edhe për sigurinë në atë zonë. Refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje, shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel. Në të kundërtën angazhimi i jashtëzakonshëm i të gjitha palëve për këtë marrëveshje, do të mbetej përpjekje pa rezultat. Nëse marrëveshja nuk reflekton me një normalitet në terren, efektet e saj do të jenë të papërfillshme”.

Haradinaj thekson se paqja në Kosovë është e padiskutueshme dhe inkurajon të gjitha palët në vendosmërinë e tyre për të mënjanuar të gjithë ata që e rrezikojnë, edhe marrëveshjen, edhe sigurinë.

Top Channel