Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në zbulimin e pllakës përkujtimore të dëshmorëve dhe martirëve të rënë në masakrën në fshatin Pastasellë të Komunës së Rahovecit, ka thënë se denoncojnë forcat serbe, pasi 106 persona të këtij fshati u vranë vetëm për shkakun se ishin shqiptarë.
“Ende ka persona të zhdukur nga kjo masakër, që familjarët ende nuk dinë asgjë për ta. Kishin planifikuar si teknik dëbimi nëpërmjet vrasjeve masive të civilëve të pafajshëm, si fëmijë të moshës 13 vjeçare e pastaj të rritur e të moshuar, fillimisht filluan me fëmijë që prindërit t’i shohin fëmijët e tyre që po vriteshin në sy të tyre”, ka thënë ai.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se shqiptarët u përballën me dhunë të egër ndërsa ishin të pa armatosur.
“Ushtria Çlirimtare erdhi si shpëtim për ne, vorbulla e luftës përfshiu qindra njerëz, u përballen me fatin e tyre tragjik, por duke lënë plagë të mëdha. Ende me kujtohen pamjet e rënda, gjymtyrët e tyre, organet e nxjerra nga trupat e më të dashurve tanë të gjuajtura në lum”, tha ai.
Latifi përmendi edhe bashkëluftëtarët që po mbahen padrejtësisht në Hagë dhe ftoi të gjithë qytetarët të dalin në protestë më 2 prill.
Përfaqësuesi i fshatit Pastasellë, Afrim Krasniqi tha se mijëra të ikur nga fshatrat e tjera përreth gjetën strehim në fshatin e tyre edhe pse vetë ata si fshat ishin në gjendje të mjerueshme dhe me 106 persona të vrarë e të masakruar.
Tahir Krasniqi dhe Shaqë Gjema janë dy të mbijetuarit e vetëm nga kjo masakër.
Top Channel