Shqiptari fshihet në çati kur policia i zbulon fermën e kanabisit në shtëpi, në Liverpool (fotot)

30/03/2023 17:09

Një shqiptar në Angli, në shtëpinë e të cilit u zbulua rastësisht një fermë kanabisi nga punonjësit e riparimeve që kishte thirrur, u përpoq t’i fshihej policisë duke u ngjitur në çati.

Hidrauliku që ai kishte thirrur për të hapur derën e tij kryesore në Liverpool, kishte pikasur atë që mendoi se ishte një fabrikë prodhimi drogash dhe njoftoi policinë.

Oficerët që erdhën zbuluan rreth 200 bimë të jashtëligjshme në atë që ata quanin “një operacion i sofistikuar kanabisi në gjashtë dhoma të banesës”, si dhe prova se dikush jetonte aty.

Rrjeti vendas Metro, shkruan se Edmond Lika u përpoq t’i shpëtonte policisë duke u fshehur në çati, por rrjedhimisht u kap dhe u arrestua.

Dje në gjykatën e Liverpool u tha se 32 vjeçari Lika, ishte “punësuar” nga dikush tjetër për t’u kujdesur për fermën ilegale të kanabisit.

Prokurori Christopher Hopkins, tha: “Lika ishte punësuar për të drejtuar e menaxhuar instilacionin e bimëve ilegale duke u kujdesur për to”.

Autoritetet thanë se nuk dinë shumë për emigrantin ilegal.

“Lika është motivuar nga përfitimi financiar dhe sigurisht që e dinte se çfarë ndodhte në shtëpi”, shtoi prokurori.

Avokatja e të akuzuarit, Olivia Beesley, tha se Likës i ishin ofruar 100 paundë në ditë për të kryer punën e tij, dhe se ishte larguar nga Shqipëria për arsye ekonomike. Ai kishte kaluar ngushticën me Francën me barkë ilegale në shtator 2022 dhe pretendon se ka paguar 5000 euro për lundrimin e rrezikshëm.

Ajo shtoi: “Ai donte të punonte por nuk dinte si ta bënte këtë në rrugë të ligjshme. I akuzuari e kupton që duhet të dënohet për shkeljen e tij dhe është gati ta pranojë.

Në gjykatë u tha se Lika nuk kishte dënime të mëparshme në Angli apo Shqipëri dhe u dënua me dy vjet e gjysmë burg. Gjykata urdhëroi sekuestrimin dhe shkatërrimin e drogave të gjetura.

Gjykatësi Brian Cummings tha: “Në këto lloj shkeljesh ka shumë njerëz të padënuar më parë. Ti ke hyrë në vend ilegalisht dhe për ty nuk dihet asgjë. Policia gjithashtu nuk ka arritur të marrë përgjigje gjatë intervistave të tua, dhe ke ndryshuar disa herë versionin e ngjarjeve”.

FOTO GALERI
1/5
Edmond Lika u përpoq t’i fshihej policisë duke u ngjitur në çati.

Top Channel