Një ngjarje e rëndë kriminale ku humbën jetën dy persona ndodhi pasditen e së mërkurës në qytetin e Kavajës.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen Sallbeg 2, tek kryqëzimi i valutës. Dy shtetas janë konfliktuar në rrugë, fare pranë banesës së Altin Rexhës i njohur dhe me emrin Sali Rexha. Mes tij dhe Edmond Gosës ka pasur një konflikt të mëparshëm që është acaruar 3 ditë më parë.
Shtetasi Edmond Gosa 43 vjeç, edhe ky përdorte një tjetër emër, Armand, ka plagosur me thikë Altin Rexhën, 43 vjeç.
Në çastin e konfliktit Rexha ka qenë me djalin e tij. Pas goditjes me thikë, ai ka qëlluar me armë zjarri Gosën.
Si pasojë e plagëve të marra të dy shtetasit e përfshirë në konflikt, kanë ndërruar jetë në spital. Rexha nga Kukësi jetonte me qira në Kavajë bashkë me familjen e tij.
Edmond Gosa, person shumë problematik në qytet. I dënuar më parë për plagosjen e rëndë të Gent Gjuzit me kazëm, i cili vdiq më pas në spital.
Njoftimi i policisë:
Kavajë/Informacion paraprak
Më datë 29.03.2023, në Kavajë, tek kryqëzimi i valutës, ka ndodhur një konflikt midis dy shtetasve, ku shtetasi Edmond Gosa 43 vjeç, ka plagosur me thikë shtetasin Altin Rexha, 43 vjeç, ndërsa ky i fundit ka plagosur me armë zjarri shtetasin Edmond Gosa. Si pasojë e plagëve të marra të dy shtetasit e përfshirë në konflikt, kanë ndërruar jetë në spital.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Në përfundim të veprimeve paraprake në vendngjarje, do të kemi një informacion vijues.
Top Channel