Peshkatarët francezë bllokojnë portin në protestë ndaj zonave të ndaluara peshkimit (fotot)

29/03/2023 19:27

Në prag të grevës së përgjithshme të porteve franceze të brigjeve të Atlantikut, rreth 15 barka peshkimi kishin bllokuar sot hyrjen në portin perëndimor të Bayonne, në protestë ndaj vendimit të qeverisë për mbylljen e zonave të peshkimit “për të mbrojtur delfinët”.

Peshkatarët e Bayonne ishin përhapur në ujërat e hyrjes së portit dhe mbanin tymuese në mjetet e tyre për të sinjalizuar veprimin.

Zhvillimi vjen pas një greve të ngjashme një ditë më parë në portin madhor të Boulogne-sur-Mer, ku barkat e peshkatarëve mbanin parulla si “shteti dhe OJQ-të po vrasin peshkimin artizanal” apo “marinarët po kërcënohen”.

“Këtu luhet mbijetesa jonë. Vendimi i shteti për të na mbyllur zonat e peshkimit erdhi pas kërkesës së OJQ-ve për tre muaj mbyllje në fillim të vitit e një muaj në verë”, tha peshkatari vendas Olivier Mercier.

“Kjo është reduktim me 50% i prodhimit të anijeve, masë me të cilën ato nuk mund të mbijetojnë. Nuk besoj se zyrtarët e kanë idenë se çfarë do të thotë kjo për ne”, shton ai.

“Në fillim çështja ishte për metodën e rrjetave të përdorura, ndërsa tani ata duan që peshkimin e thellësive ta shkatërrojnë e ta heqin nga Franca, OJQ-të mjedisore e kanë bërë të qartë këtë”, shton kolegu peshkatar  Jean-Yves Elisald.

“Ata kanë shpërndarë fletushka ku thuhet se deri në 2030, nuk do të ketë më peshkatarë, kjo është e papranueshme”, shton ai.

“Ne nuk gjuajmë për delfinë, dhe kur kjo ndodh ne përpiqemi ta evitojmë. Por kemi parë dhe analizat e publikuara nga Sea Shepherd ku peshkatarët paraqiten si vrasës të delfinëve.

“Ne kemi kërkuar për autopsi të këtyre peshqve të vrarë sipas tyre në Altantik, por nuk ka asnjë vullnet për të bashkëpunuar”, shton Elisald.

FOTO GALERI
1/7
Rreth 15 barka peshkimi kishin bllokuar sot hyrjen në portin perëndimor të Bayonne, në protestë ndaj vendimit të qeverisë për mbylljen e zonave të peshkimit “për të mbrojtur delfinët”.

Top Channel