“Në “Shtëpinë e Verdhë” s’ka pasur kurrë pjesëtarë të UÇK-së”, avokati Tomë Gashi e thotë prerë: Raporti i Dick Martyt, politik!

29/03/2023 18:57

Avokati Tomë Gashi ka deklaruar se në Shtëpinë e Verdhë nuk ka pasur asnjëherë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Senatori zviceran, Dick Marty në vitin 2010 nxori në publik një raport ku i inkriminonte ish-krerët e UÇK-së, edhe në trafikim organesh në një shtëpi në Shqipëri, e njohur si “Shtëpia e Verdhë”. Mirëpo, për RTV Dukagjini, avokati Tomë Gashi deklaron  se pjesëtarët e UÇK-së nuk kanë qenë asnjëherë në atë territor.

“Aty nuk ka pasur kurrë ish-pjesëtarë të UÇK-së, asnjë pjesëtar i UÇK-së nuk ka qenë fare në shtëpinë e zotit Mercin Katuçi në fshatin Gur…ata nuk ka qenë kurrë në atë territor mirëpo inskenimi ka mundur, unë tash po aludoj që  ka qenë një shtëpi specifike për  atë kohë meqenëse kanë jetuar mbi 20 anëtarë të atë shtëpi. Ka qenë relativisht më e madhe se të tjerat në rrethinë dhe ka qenë në një pjesë kodrinore që në atë kohë ka qenë pak më e vështirë që të shkohet deri tek ajo shtëpi… ne me mediat kemi shkuar  prej  Prishtine, është rreth 3 orë rrugë…”, ka deklaruar ai.

Sipas Gashit, e gjithë situata ishte një inskenim që kishte tjetër qëllim.

“Nuk e di kush ju ka dhanë ide që të identifikohet kjo shtëpi  por nëse do të identifikohej kjo do të identifikohej një tjetër. Po iu garantoj që këtu ka pasur implikm të lloj-lloj shërbimeve sekrete, detyrimisht kanë dashur që ta fajësojnë kombin shqiptar prandaj inskenimi  është bërë atje”, shprehet  Gashi, duke e konsideruar raportin e Dick Martyt “politik”.

“Raporti i Dick Martyt është raport politik, pastaj e kemi raportin e prokurorit Ëilliamsoni  cili ka punuar në kuadër të emisionit të EULEX-it…dhe nuk kanë gjetur kurrfarë prova”, thotë ai.

Gashi vlerëson se njolla e hedhur nga ky raport do të jetë prezente në historinë e Kosovës, e cila do ta ketë për barrë gjatë tribunaleve në Gjykatën Speciale. Vlen të theksohet se, pretendimet e Martyt nuk janë përfshirë fare në aktakuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që ka ngritur kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Top Channel