Me një qëndrim që shkon në një linjë me kërkesat e Perëndimit, Albin Kurti deklaroi  se Marrëveshja e arritur me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, duhet të zbatohet shpejt dhe saktë.

Komentet e tij, Albin Kurti i bëri pas njoftimeve se takimi i dy kryenegociatorëve në dialogun Prishtinë-Beograd është planifikuar të mbahet në Bruksel në 4 prill. Ai nënvizoi se marrëveshja duhet zbatuar e tëra.

“Nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka të mos zbatohet. Ashtu siç nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të Marrëveshjes, dhe as të aneksit të zbatimit, njësoj nuk mund të ketë as zbatim të njëanshëm të Marrëveshjes. Prandaj, Marrëveshjen nuk duhet ta copëtojmë”, u shpreh Kurti.

I pyetur për urgjencat eventuale në implementimin e saj, Kurti shpjegoi se ky term vlen për çështjen e të pagjeturve. 13 mijë vetë u vranë gjatë luftës në Kosovë, mbi 800 mijë u zhvendosën ndërsa rreth 6.000 të tjerë u zhdukën. Të zhdukur ende edhe sot mbeten më shumë se 1,600 persona. Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi.

Top Channel