Zgjedhjet në Kosovë të mangëta! Katër kandidatë për komunat veriore, lista serbe do qëndrojë jashtë

28/03/2023 19:53

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar kandidatët për kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës. Jashtë garës ka mbetur Lista Serbe e cila nuk respektoi afatet për certifikim.

Mungesa e Listës Serbe në këto zgjedhje ngre pikëpyetje edhe për pjesëmarrjen ose jo të serbëve në votime.

Megjithatë, ligjet në Kosovë nuk e përcaktojnë se sa për qind e votuesve duhet të dalin në zgjedhje në mënyrë që procesi te jetë legjitim. Problemi më i madh me mospjesëmarrje do vijë pas zgjedhjeve.

Kjo situatë do të evitohej vetëm me ndonjë marrëveshje politike në mes të institucioneve qendrore të Kosovës dhe komunitetit serb. Përveç problemeve me mospjesëmarrjen, në katër komunat veriore shqetësuese mbetet edhe siguria për mbajtjen e zgjedhjeve.

Institucionet qendrore të Kosovës thonë që ka kapacitete të mjaftueshme për të organizuar dhe mbajtur zgjedhjet lokale në Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut, Zveçan e Leposaviç.

Më 23 prill banorët e veriut të Kosovës do votojnë për kryetarë, pasi institucionet lokale mbetën pa udhëheqje për shkak të dorëheqjes masive të serbëve nga institucionet.

Top Channel