Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Top Channel pak orë pas mesnatës.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Begaj u ka bërë thirrje organeve ligjzbatuese për zbardhjen sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë të kësaj ngjarje kriminale. Po ashtu, Presidenti i ka shprehur ngushëllimet familjes së rojës Pal Kola, i cili mbeti viktimë.

Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola. Teksa i shpreh ngushëllimet e mia familjes së z. Kola, inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale”, shkruan Begaj.

Top Channel është përballur me një situatë të rëndë mesnatën e së dielës, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës nga persona ende të paidentifikuar. Roja i sigurisë, Pal Kola humbi jetën, pasi u qëllua me armë rreth orës 01:00, në rrethana ende të paqarta.

Në autostradën e Kavajës, tek vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një mjet i djegur tip “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve. Sipas informacioneve, targat e mjetit rezultojnë të vjedhura.

Policia është në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor vijon punën  për zbardhjen e rrethanave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA