Skriniar e mbyll me Interin, në Francë janë të bindur

26/03/2023 16:45

Skriniar e mbyll me Interin. Kështu raporton prestigjozja franceze “L’Equipe”, sipas të cilës dëmtimi i mbrojtësit sllovak është më i rëndë nga sa pritej dhe vështirë se do të rikthehet më në fushë deri në fund të sezonit.

Skriniar është në muajt e fundit të kontratës me Interin dhe në verë do të transferohet te Paris Saint Germain. Por duket e vështirë të luajë më me fanellën zikaltër.

Ai ka pësuar një dëmtim në shpinë, që e la jashtë grumbullimit me Sllovakinë për eliminatoret e Europianit Gjermani 2024 dhe aktualisht është rikthyer në Milano për të nisur rikuperimin.

Megjithatë para se të kthehej te zikaltrit, mbrojtësi bëri një vizitë në Francë, te mjekët e besuar të PSG-së. Ata duket se kanë rekomanduar të mos luajë më deri në fund të sezonit.

Vetë Skriniar deklaroi se kishte dhimbje në shpinë dhe se nuk mund të luante në atë gjendje. Ndërsa te Interi shpresojnë që të rikuperohet për turin e forcës që i pret në dy muajt e fundit të sezonit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA