Rritja e eksporteve të qepës me vendet e rajonit ka bërë që çmimi i këtij prodhimi të rritet ndjeshëm në tregun vendas duke bërë që fermerët të jenë të kënaqur por të rëndohen konsumatorët.

Në Korçë 1 kg qepë po shitet me 150 leke me pakice, një çmim i pazakontë për këtë produkt i cili prodhohet masivisht në qarkun juglindor.

Shkak për rritjen e çmimit është bërë mungesa në treg pasi qepa është shitur në masë për eksport në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë duke bërë që fermerët të kenë më shumë përfitime.

Gëzim Kreka nga fshati Orman i Maliqit prodhues prej shumë vitesh i qepës pohon se prodhimin e këtij viti e ka shitur për tregun vendas me dyfishin e çmimit duke arritur deri në 80 lekë për kilogramë dhe se kërkesa ka qenë e lartë.

Në Maliq sipas të dhënave sipërfaqja e kultivuar me qepë është rreth 800 ha dhe duket se këtë vit shitja i ka lënë të kënaqur fermerët që për vite me radhë e kanë hedhur qepën për shkak të mungesës së tregut.

Sipas të dhënave zyrtare sipërfaqja e kultivuar me qepë gjatë vitit 2022 në qarkun e Korçës ishte 1994 ha duke pësuar rritje në krahasim me vitin 2021 por këtë vit kërkesa ishte e lartë në treg duke sjellë edhe rritje të çmimit.

Top Channel