Zelensky falenderon liderët europianë për mbështetjen, u bën thirrje për më shumë armatime

23/03/2023 21:47

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky falenderoi liderët evropianë për ndihmën e tyre ushtarake, por paralajmëroi se vonesat në dërgimin e avionëve dhe raketave me rreze të gjatë mund të zgjasin luftën.

Zelensky iu drejtua një samiti të homologëve të tij të BE-së përmes videos nga një tren ukrainas pasi vizitoi zonat e shkatërruara nga lufta përgjatë vijës së frontit me forcat ruse.

 “Vonesa në furnizimin e Ukrainës me raketa me rreze të gjatë është tashmë domethënëse… Ne nuk mund të vonojmë transferimin e armëve tek ushtarët tanë, të cilët mund të mbrojnë ukrainasit nga terrori. Jam mirënjohës ndaj Polonisë dhe Sllovakisë për premtimin e avionëve luftarakë të epokës sovjetike në Ukrainë, por ne kemi nevojë për më shumë avionë modernë”.

Presidneti ukrainas u kërkoi udhëheqësve të vendosin më shumë sanksione ndaj Moskës, të përshpejtojnë punën për ofertën e anëtarësimit të Ukrainës në BE dhe të rrisin mbështetjen për një plan paqeje të propozuar nga Kievi.

“Ukraina është gati për një vendim mbi fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE tashmë këtë vit. E njëjta gatishmëri është e nevojshme nga të gjithë ju çdo udhëheqës në Evropë”.

Kievi i ka kërkuar vazhdimisht aleatëve të tij perëndimorë që t’i dërgojnë avionë luftarakë modernë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi për të ndihmuar në zmbrapsjen e forcave të Moskës.

Para thirrjes së tij në samitin e BE-së, Zelensky vizitoi rajonin jugor të Ukrainës, Kherson, i kontrolluar pjesërisht nga forcat ruse.

Top Channel