Me të arritur në Bruksel të enjten për samitin dyditor të Këshillit Evropian, presidenti bullgar, Rumen Radev u tha gazetarëve se Bullgaria po bëhet një garantues i sigurisë energjetike për partnerët e saj në rajon.
Ai tha se propozimi i Sofjes për të lidhur rrjetet e transmetimit të gazit të Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë, Sllovakisë dhe Austrisë kishte marrë vlerësime shumë të larta. Kjo do të bëjë të mundur transmetimin e furnizimeve me gaz azerbajxhanas. Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev do të zhvillojë një vizitë në Bullgari. Do të nënshkruhet një memorandum, i cili do ta kthejë Bullgarinë nga një vend përmes të cilit kalonte gazi rus në një shpërndarës aktiv të gazit nga burime të ndryshme, tha Radev.
Presidenti Radev tha se qeveria e përkohshme nuk kishte hequr dorë nga fondet e BE-së për tranzicionin e energjisë. Ai e quajti një deklaratë të Komisioneres Evropiane për Kohezionin dhe Reformat Elisa Ferreira një keqkuptim. Këtë vit Bullgaria do të marrë 800 milionë euro, me kusht që të paraqesë planet deri në fund të vitit.
Ferreira tha të martën se Komisioni ishte informuar nga qeveria në Sofje se këtë vit nuk do të jetë e interesuar të fillonte zbatimin e Planit të Tranzicionit të Drejtë.
Top Channel