Kokaina që shpërndahej nga një pjesë e të rinjve që u arrestuan një ditë më parë nga Policia e Tiranës sigurohej nga një i huaj.
Hetimet kanë zbuluar se së paku 4 persona kishin kontakte me një person nga Lindja e Mesme i cili nuk ishte rezident në vendin tonë por ka histori të shpeshta udhëtimi dhe ka dyshime se ai furnizonte shpërndarësit me kokainë.
Ndërsa kanabisin dyshohet se e siguronin në Fushë-Krujë. Për identitetet e furnizuesve janë pyetur dhe të arrestuarit të cilët kanë mbajtur qëndrim mohues jo vetëm për të por edhe për aktivitetin e paligjshëm ku u kapën në flagrancë.
Zona më problematike aty ku dhe nisi hetimi që detyroi policinë dhe prokurorinë të kryente blerje të stimuluar dozash droge për të faktuar aktivitetin, ishte shkolla Petro Nini. Shpërndarësit qëndronin në afërsi të shkollave ku binin në kontakt me të rinjtë dhe shisnin droga të llojeve të ndryshme. Pasi lëviznin me transport publik gjatë orëve të mbrëmjes shpërndarësit vendoseshin në bare e klabe në zona të ndryshme të Tiranës ku kishin siguruar blerës.
Komunikimi në celular mes shitësve dhe blerëse bëhej i koduar qoftë për llojin e drogës ashtu edhe për sasinë e kërkuar.
Top Channel