Kosova “çon” Blinkenin para senatit amerikan: Marrëveshja e Ohrit, lëvizje drejt njohjes!

23/03/2023 07:34

Me marrëveshjen e Ohrit, edhe vendet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës do të lëvizin drejt saj, e këtë pohim sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken e bëri përpara Komisioni për Punët e Jashtme në Senat.

Komentet e kreut të diplomacisë së SHBA-së i bëri në përgjigje të një pyetjeje të Senatores demokrate Jeanne Shaheen lidhur me përpjekjet e tij për t’i bindur pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën.

Sigurisht është një çështje që vazhdojmë ta ngremë, por unë mendoj gjithashtu se kjo marrëveshje, nëse ecën përpara në fakt na vendos në një rrugë drejt njohjes nga këto vende.”- u shpreh Blinken.

Blinken e pranoi se njohja nga Serbia është tjetër çështje dhe do të dojë kohë.

Por nëse arrihet në një marrëdhënie të normalizuar, kjo do të kishte një efekt pozitiv dhe besoj se me kalimin e kohës do të shkojmë dhe në atë pikë. Unë mendoj se për pesë vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, fakti që Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen dhe duke supozuar që do ta zbatojnë, kjo do t’i shtyjë ato drejt njohjes.”- shtoi Blinken.

Kreu i DASH-it e cilësoi si shpresëdhënës përparimin e arritur mes Serbisë dhe Kosovës, veçanërisht atë të fundjavës së kaluar për të zbatuar udhërrëfyesin në rrugën drejt normalizimit. Shtetet e Bashkuara kanë qenë “shumë të përfshira në këtë proces”, theksoi ai ndërsa inkurajoi me force angazhimin e anëtarëve të Kongresit me parlamentet dhe me liderët e të dy vendeve.

Top Channel