​Kurti për Asociacionin: Ndërmjetësuesit e dialogut ishin të qartë, s’ka kompetenca ekzekutive

23/03/2023 13:25

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa foli për procesin e dialogut me Serbinë, ka deklaruar se ka bërë maksimumin për të përmirësuar situatën dhe sipas tij ka bërë përparime në dialog.

Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të ketë largim nga kufizimet e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Ne bëmë maksimumin për të përmirësuar situatën dhe ia dolëm që të sigurojmë më shumë hapësirë për ecjen përpara. U bë plotësisht e qartë nga lehtësuesi apo ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian dhe nga partnerët tanë amerikan se Kosova nuk do të rëndohet me kurrfarë shtrese tjetër të autoritetit ndërmjet komunave dhe Qeverisë së Kosovës, dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të largohet nga kufizimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese dhe kjo është bërë edhe gjatë procesit të dialogut, edhe në deklarimet publike. Pra, ka dalur qëndrimi i drejt i kritikës sonë ndaj çfarëdo qëllimi, synimi, kërkese të Serbisë që fatkeqësisht në të kaluarën edhe janë pranuar në Kosovë”, ka thënë Kurti

Kryeministri i vendit ka thënë se zbatimet parashikohen të jenë me hapa të përbashkët ku të dyja palët do të duhet të shkojnë hap pas hapi.

Ai ka theksuar se nuk mund të ketë zbatime të njëanshme të marrëveshjes, ashtu siç nuk mund të ketë as nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes.

Kosova i ka obligimet e veta ligjore, unë personalisht kam kundërshtuar disa nga marrëveshjet në të kaluarën dhe vazhdoj të punoj për një rezultat më të mirë, shumë më të mirë, sepse Kosova meriton dhe i takon shumë më tepër. Në të njëjtën kohë, aleatët tanë na kujtojnë se marrëveshjet janë arritur ndërmjet qeverive ne emër të shteteve tona, me detyrime të qëndrueshme edhe kur qeveritë ndryshojnë. Nëse duam të trajtohemi si shtet dhe të njihemi si një i talle unë nuk mund t’i shmang detyrimet nga traktatet ndërkombëtare që ne lidhim por në të njëjtën kohë jam i bindur që tekst më të mirë të marrëveshjes në situatën që jemi nuk ka qenë e mundur të arrijmë. Megjithatë, ato detyrime nga e kaluara janë edhe të përfshira implicid në procesi ne dialogut sepse janë ngritur gjatë bisedimeve dhe çdo gjë ne do ta konsiderojmë nga prizma e kushtetutës sonë, republikës sonë, ligjshmërisë sonë, dhe e vlerave, e kartave normative ndërkombëtare, në veçanti evropiane”, ka thënë Kurti.

Top Channel