Shtëpia e Bardhë: Takimi Putin-Xi nuk do t’i japë fund luftës në Ukrainë

22/03/2023 14:11

Presidenti i Kinës Xi Jinping përfundoi sot vizitën e tij tre-ditore në Moskë, ku një prej çështjeve kryesore të diskutuara ishte propozimi kinez për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Mirëpo, presidenca amerikane është pesimiste që bisedimet e udhëheqësit kinez me presidentin rus Vladimir Putin do të hapin rrugën për paqe në Ukrainë. Në Moskë, presidenti i Kinës, Xi Jinping u prit me nderime të larta. Presidenti Putin shtroi darkë shtetërore.

“Si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina dhe Rusia do të vazhdojnë të punojnë me komunitetin ndërkombëtar për të mbrojtur me vendosmëri normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare mbështetur në qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së”, tha presidenti i Kinës, Xi Jinping.

Presidenti Xi bëri thirrje për zgjidhje diplomatike të luftës në Ukrainë, thirrje kjo e mbështetur nga presidenti Putin.

“Ne besojmë se shumë pika të planit të paqes të Kinës janë të ngjashme me qëndrimet ruse dhe mund të formojnë bazën për një zgjidhje paqësore, kur Perëndimi dhe Kievi të jenë gati për të. Megjithatë, nga ana e tyre ende nuk po shohim një gatishmëri të tillë”, tha udhëheqësi rus, Putin.

Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë pretendimin e presidentit Putin.

“Ne nuk kemi parë asgjë që ata kanë thënë apo paraqitur, që na jep shpresë se kjo luftë do të përfundojë së shpejti”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Përpara takimit të presidentëve Putin-Xi, SHBA-të paralajmëruan kundër një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Kina, duke thënë se ai do t’i ishte konfirmim i agresionit rus në Ukrainë.

Takimi i dy udhëheqësve megjithatë nuk prodhoi një propozim për armëpushim. Zoti Kirby tha se SHBA-të do të mbështesin bisedimet e ndërmjetësuara nga Pekini nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy besonte se ato do të çonin në një paqe të drejtë. Për zotin Zelenskyy, kjo do të arrihej nëse paraprakisht trupat ruse tërhiqen nga i gjithë territori ukrainas i pushtuar nga Rusia.

“Unë dyshoj se Rusia do të pajtohej me këtë kusht. Ata e kanë refuzuar atë duke mos e konsideruar as si pikënisje për negociata”, tha George Beebe, nga “Quincy Institute for Responsible Statecraft”, një organizatë jo qeveritare amerikane me seli në Uashington.

Presidenti Zelenskyy u takua të martën me Kryeministrin e Japonisë Fumio Kishida, udhëheqësi më i fundit i aleancës perëndimore, që viziton Kievin.

“Duke pasur parasysh forcën e Japonisë, ndikimin e saj në Azi në mbrojtje të paqes dhe rendit ndërkombëtar dhe përgjegjësinë e Japonisë si kryesuese e grupit të 7 vendeve më të industrializuara (G7), bisedimet tona sot mund të japin vërtet një rezultat me ndikim global”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Pas takimit të tij me presidentin Putin, presidenti kinez mund të zhvillojë një bisedë telefonike edhe me presidentin Zelenskyy, por kjo nuk është konfirmuar./Voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA