Kurti: Oferta për asociacionin në përputhje me Kushtetutën, por është refuzuar nga Vuçiç/ Kundërshton opozita

22/03/2023 19:37

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i gatshëm të ofrojë një draft të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por që ka refuzuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Sipas tij, oferta është bërë në atë mënyrë që asociacioni të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

“Kushtetueshmëria dhe ligjshmëria jonë dhe aktgjykimet e mëhershme. Shtylla tjetër është qëndrimi i Washington-it zyrtar dhe shtylla tjetër qëndrimi i Brukselit zyrtar. Me këto tri shtylla, unë u kam thënë ua sjell statutin si draft, të shkruar që të nesërmen në mëngjes”.

Këtë gatishmëri të Kurtit për të ofruar Asociacionin e kanë kritikuar partitë opozitare që kërkojnë transparencë më të madhe në dialog.

“Ndoshta është dhe më keq dhe vetëmenaxhimi sepse ti po bën një pushtet paralel. Nëse është Asosacioni le të jetë pa kompetenca ekzekutive”, shprehet deputetja e PDK-së, Time Kadriaj.

Ndërkohë për marrëveshjen në Ohër, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosovës i janë ofruar versione të tmerrshme.

“Janë versione të tmerrshme që Republika e Kosovës është shumë mirë që nuk i ka pranuar”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç më 18 mars në Ohër janë dakorduar për marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve dhe aneksin e zbatimit. Palët janë zotuar që menjëherë të nisin zbatimin e pikës 7 të vetëmenaxhimit të komunitetit serbë më Kosovë dhe deklaratën e përbashkët për të pagjeturit.

Top Channel