Inside Story/ Përplasje fizike për t’i vënë edhe në shqip emrin Muzeut të Tetovës

22/03/2023 22:08

Pallati i kulturës në Tetovën me 80% shqiptarë, paradoksalisht mban emrin “Iljo Anteski”, një partizan, hero kombëtar i Maqedonisë së Veriut.

Muzeu ndodhet në rrugën “Marshall Tito” në qendër të Tetovës. Nëse do ta kërkosh një pllakatë me emrin nuk e gjen dot, përveçse në Google Maps, pasi është hequr për shkak të pakënaqësisë mes shqiptarëve.
Ndërsa ky është muzeu i Tetovës, i cili deri një vit më parë e kishte emrin vetëm në maqedonisht. Emri në shqip, megithëse sërish pas maqedonishtes, iu vendos pas një përplasje fizike të përfaqësuesve të ministrisë së kulturës. Roja flet vetëm maqedonisht dhe në momentin që e vizitoi “Inside Story” godina ishte ende nën rikonstruksion.

Deri para një viti, mbishkrimi i muzeut ishte vetëm në gjuhën maqedonëse, duhej intervenimi fizik i zv/ministrit të kulturës që të ndryshohej dhe të futej edhe gjuha shqipe në një institucion shtetëror në komunën e Tetovës ku shumicë dominate janë shqiptarët“, u shpreh, Bilall Kasami, kryetar i Komunës Tetovë.

Më diskriminuese është ajo që fshihet pas mureve të këtij muzeu. Zyrtarët e komunës akuzojnë se ajo që ekspozohet brenda këtij muzeu është përzgjedhur me kujdes, duke zhdukur ‘historinë” që ka lidhje me trashëgiminë shqiptare.

“Në zemër të Tetovës kemi një institucion të kulturës që tregon vetëm një anë të së vërtetës, në atë muze ruhen vetëm artefakte dhe e vërteta maqedonase. Ne kemi pasur kërkime arkeologjike në zona etnike shqiptare dhe vetëm atëherë kur kanë mundur ta lidhin me identitetin Maqedonas ajo është prezantuar para publikut. Në asnjë moment nuk kemi kërkime arkeologjike që tregojnë identitetin shqiptar dhe historinë shqiptare të këtyre trojeve. E vërteta është shumë më ndryshe, këto troje janë vazhdimësi i trojeve shqiptare në ballkan”, u shpreh Bilall Kasami.

Top Channel