Më pak ecje pas Covid-19, kryesisht nga të rinjtë/ Studimi: Tendenca është shqetësuese

21/03/2023 13:24

Njerëzit bënë më pak hapa gjatë kulmit të pandemisë Covid-19 dhe ende nuk e kanë rikthyer këtë aktivitet, zbuloi një studim i ri.

“Mesatarisht, njerëzit po bëjnë rreth 600 hapa më pak në ditë sesa përpara fillimit të pandemisë”, tha autori i studimit Dr. Evan Brittain.

“Për mua, mesazhi kryesor është me të vërtetë një mesazh i shëndetit publik – ndërgjegjësimi se Covid-19 duket se ka pasur një ndikim të qëndrueshëm në zgjedhjet e sjelljes së njerëzve kur bëhet fjalë për aktivitetin”, shtoi ai.

Studimi përdori të dhëna nga Programi Kërkimor All of Us i Institutit Kombëtar të Shëndetit, i cili fokusohet në identifikimin e mënyrave për të zhvilluar kujdesin shëndetësor të individualizuar. Shumë nga 6,000 pjesëmarrësit në program mbanin gjurmues aktiviteti për të paktën 10 orë në ditë gjatë shumë viteve dhe u lejuan studiuesve akses në të dhënat e tyre elektronike shëndetësore.

Njerëzit që ndërmorën më pak hapa ishin socio-ekonomikisht të pafavorizuar, nën stres psikologjik dhe të pa vaksinuar, tha studimi. Mosha gjithashtu bëri një ndryshim, por në një mënyrë të papritur: njerëzit mbi 60 vjeç nuk u ndikuan nga pandemia, zbuloi studimi – ata vazhduan të bënin hapa.

Çuditërisht, ishin të rinjtë midis 18 dhe 30 vjeç, numri i hapave të të cilëve u ndikua më shumë.

“Në fakt, ne zbuluam se çdo rënie 10-vjeçare e moshës shoqërohej me një ulje prej 243 hapash në ditë. Nëse kjo vazhdon me kalimin e kohës, sigurisht që mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, obezitetit, hipertensionit, diabetit dhe kushteve të tjera të lidhura fort me të qenit ulur,” thanë studiuesit.

Brezat e rinj përbëjnë shumicën e punëtorëve në teknologji, softuer dhe profesione të tjera që janë në gjendje të punojnë nga kudo, ndërsa njerëzit e moshuar mund të kenë më pak nga ato punë, sipas tyre.

Cilado qoftë arsyeja, të dhënat e studimit tregojnë se njerëzit nuk lëviznin aq shumë gjatë pandemisë sa dikur.

Top Channel