Grevistët e depove të naftës përleshen me policinë në portin jugor francez (foto)

21/03/2023 18:46

“Nuk do të heqim dorë derisa të marrin gjithçka është e jona,” tha kreu i sindikatës franceze CGT Olivier Mateu, mes grevistëve të mbledhur para depove të naftës në portin jugor të Fos, ku kanë rinisur furnizimet e karburanteve, shkruan AFP.

Në pamjet e publikuara sot policia shihej që përdorte gaz lotsjellës ndaj punonjësve greviste që godisnin me objekte oficerët me veshje të rënda pranë portit të Fos-sur-mer.

Mateu shtoi se lëvizja greviste po zgjerohet me grevën e punonjësve te mbeturinave që ka nisur në qytetet e mëdha, kundër reformës së pensioneve nga qeveria.

“Do të qëndrojmë deri në fund, derisa të tërhiqen, derisa të rimarrin ato që na përkasin ne, derisa ata të kuptojnë çfarë është nderi e dinjiteti”, shtoi Mateu duke akuzuar qeverinë për korrupsion.

Përfaqësuesi tjetër i sindikatës Nicolas Davan, shtoi: “Ne jemi këtu në grevë, edhe për ata që nuk janë lejuar të marrin pjesë dhe shpresojmë të bindim të gjithë se askush nuk na ndalon.”

Presidenti Emmanuel Macron mbetej gjithsesi i palëkundur në qëndrimin e tij teksa qeveria i mbijetoi mocionit të mosbesimit të ngritur dje nga opozita.

Macron shtoi se nuk do të ketë ndryshime në qeveri dhe as zgjedhje të reja apo referendum për reformën, megjithë protestat e gjera.

Dje në Paris policia arrestoi dhe 234 njerëz të tjerë pas përleshjeve gjatë natës ku grupe njerëzish i vunë zjarrin kazanëve të mbeturinave, biçikletave dhe objekteve publike.

FOTO GALERI
1/5
Grevistë të mbledhur para depove të naftës në portin jugor të Fos, France

Top Channel