Të gjithë fermerët që kanë një nipt duan të përfitojnë nga skema kombëtare për bujqësinë.

Deri në mesditën e 21 marsit që shënon dhe ditën e dytë të thirrjes për mbështetje, gjithsej kanë aplikuar 17 mijë fermerë për 9 masa të ndryshme, duke filluar nga bujqësia, blegtoria e deri tek peshkimi.

Por ajo që bie më tepër në sy është interesi i lartë që fermerët shqiptarë kanë treguar për naftën falas, ku deri më tani 41% aplikimeve  janë bërë nga bujqit për të përfituar naftën pa taksa.  Zv ministri i bujqësisë, Dhimo Kote thotë se deri në mbrëmje kjo shifër pritet të dyfishohet.

“Janë gjithsej 55 pika agropika të hapura. Aplikimi filloi që ditën e djeshme dhe ka arritur 17 mijë aplikime, ku vetëm 7200 janë vetëm për naftën, ndërsa 10 mijë janë për masat e tjera. Pra kjo tregon që fermerët tanë mund të aplikojnë edhe në portalin e-Albania. Kjo është një shifër që edhe ne na surprizoi pasi ishte jashtë çdo parashikimi.“- shprehet zv.ministri i Bujqësisë, Dhimo Kote.

Kriteri kush aplikon i pari, merr më shpejt mbështetje, ka krijuar radhë të gjata në zyrat e agropikave.  Nëse bëjmë një krahasim në rang qarqesh, fermerët e zonës së Korçës janë të parët në renditje për nga numri i aplikimeve, duke lënë pas kështu zonat bujqësore të Lushnjës dhe Fierit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA