Gjiganti bankar zviceran, UBS ra dakord të blinte bankën rivale Credit Suisse për 3, 23 miliardë dollarë, në një marrëveshje të detyruar të nxitur nga autoritetet zvicerane.
Credit Suisse ishte përpjekur të rimëkëmbej nga skandalet, humbjet dhe paditë, por aksionet e saj ranë javën e shkuar për shkak të pasigurisë se mund të prekej nga kriza bankare e Shteteve të Bashkuara.
Disa nga krizat me të cilat është përballur banka gjatë viteve të fundit
Shitja tek UBS
Autoritetet u përpoqën gjatë gjithë fundjavës të shpëtonin nga falimentimi bankën Credit Suisse, një prej institucioneve më të rëndësishime bankare në botë dhe bisedimet u përbyllën me marrëveshjen që UBS të blinte për 3 miliardë franga zvicerane rivalin e saj si edhe të merrte përsipër humbjet e bankës prej 5 miliardë frangash.
Huaja nga banka qendrore zviceriane
Disa ditë para shitjes, në një përpjekje për t’i shpëtuar falimentimit, Credit Suisse mori një hua prej 54 miliardë dollarësh nga Banka Qendrore për të përmirësuar likuiditetin dhe besimin e investitorëve, në një kohë që aksionet e saj ranë në nivel rekord, të ndikuara nga falimentimi i dy bankave në Shtetet e Bashkuara, që nxiti shqetësime për një efekt domino edhe tek banka të tjera në botë.
Banka me qendër në Zyrih, u bë kështu banka e parë e madhe në botë të cilës iu dha mbështetje emergjente financiare që nga kriza e vitit 2008.
Problemet e Credit Suisse shkaktuan rënie të aksioneve bankare në Europë pasi investitori i saj më i madh, Saudi National Bank njoftoi se nuk mund t’i ofronte më mbështetje financiare për shkak të kufizimeve rregullatore.
TRANSFERTAT DHE HUMBJET E MËDHA FINANCIARE
Në shkurt të 2023 banka Credit Suisse raportoi një humbje neto prej më shumë se 7 miliardë frangash zvicerane për vitin 2022, humbja më e madhe që nga kriza financiare e vitit 2008 dhe paralajmëroi për humbje të mëdha edhe për vitin 2023.
Banka u përball me një rritje të tërheqjes së depozitave në tremujorin e katërt të 2022. Transferimi i depozitave kapi shifrën e më shumë se 110 miliardë frangave zvicerane, por banka tha se situata po përmirësohej.
Pastrimi i parave të drogës
Në qershor, banka u shpall fajtore se kishte dështuar të pengonte pastrimin e parave nga një trafikant bullgar droge.
Sipas gjykatës, banka kishte mangësi në mbikqyrjen e zbatimit të rregullave kundër pastrimit të parave.
Si banka Credit Suisse dhe punonjësit e mëparshëm të saj, nuk i kanë pranuar shkeljet. Banka Credit Suisse tha se do të apelojë vendimin.
Gjyqi në Bermuda
Një gjykatë e Bermudës vendosi në mars të vitit 2022 që ish-kryeministri gjeorgjian Bidzina Ivanishvili dhe familja e tij duhej të kompensohej me më shumë se gjysmë miliardë dollarë nga dega lokale e bankës Credit Suisse.
Gjykata tha se zoti Ivanishvili dhe familja e tij duhet të kompensoheshin për dëmet e shkaktuara si rezultat i një mashtrimi afatgjatë të kryer nga një ish-këshilltar i bankës Credit Suisse, Pascale Lescaudron.
Zoti Lescaudron u dënua nga një gjykatë zvicerane në vitin 2018 për falsifikimin e nënshkrimeve të ish-klientëve, përfshirë atë të zotit Ivanishvili, gjatë një periudhe tetë vjeçare.
Banka Credit Suisse ka thënë se pret që kjo çështje, e cila është në apel, t’i kushtojë bankës rreth 600 milionë dollarë.
SEKRETET E BANKËS
Banka Credit Suisse mohoi akuzat për shkelje, pasi dhjetëra organe mediatike, në shkurt të vitit 2022 publikuan rezultatet e një hetimi të koordinuar, që zbuluan të dhëna në mijëra llogari të klientëve të korruptuar.
Dorëheqja e drejtuesit
Kryetari Antonio Horta-Osorio dha dorëheqjen në janar të vitit 2022 pasi shkeli rregullat e karantinës Covid 19.
Ai ishte punësuar më pak se një vit më parë, për të përmirpësuar kulturën e punës së bankës, e dëmtuar nga përfshirja e saj me firmën e rrënuar të investimeve Archegos dhe firmën e dështuar të financimit të zinxhirit të furnizimit, Greensill Capital.
Dështimi i ARCHEGOS
Credit Suisse humbi 5.5 miliardë dollarë kur fondi amerikan Archegos Capital Management, pjesë e bankës, falimentoi në mars të vitit 2021.
Investimet e fondit në aksione të disa firmave teknologjike dështuan dhe vlera e tij ra ndjeshëm.
Një raport i pavarur për incidentin kritikoi sjelljen e bankës, duke thënë se humbjet e saj ishin rezultat i një dështimi të menaxhimit dhe kontrollit të investimeve.
Kolapsi i fondeve GREENSILL
Credit Suisse u detyrua të ngrinte 10 miliardë dollarë në fondet e financimit të zinxhirit të furnizimit në mars 2021 kur financuesi britanik Greensill Capital falimentoi pasi humbi mbulimin e sigurimit për borxhin e lëshuar kundrejt kredive të dhëna për kompanitë.
Rregullatorët zviceranë e kanë qortuar Credit Suisse për dështime “serioze” në trajtimin e biznesit shumë miliardë dollarësh me Greensill.
Zemërimi i aksionerëve
Aksionerët e Credit Suisse hodhën poshtë një propozim të bordit të bankës për të mos i mbajtur përgjegjës drejtuesit e bankës për gabimet e vitit 2020, duke nxjerrë kështu në pah zemërimin e investitorëve për gabimet e kushtueshme të bankës.
Skandali i spiunimit
Drejtori ekzekutiv i Credit Suisse-it, Tidjane Thiam u detyrua të largohej në mars 2020 pasi një hetim zbuloi se banka kishte punësuar detektivë privatë, për të përgjuar ish-shefin e menaxhimit të pasurive, Iqbal Kahn, pasi ai u largua për një post tjetër tek rivali i vjetër i bankës UBS.
Rregullatori financiar i Zvicrës tha se Credit Suisse kishte mashtruar në lidhje me shkallën e përgjimit. Rregullatori tha se banka kiushte planifikuar shtatë operacione të ndryshme përgjimi midis vitit 2016 dhe 2019 dhe kreu shumicën e tyre.
Në përgjigje, Credit Suisse tha se e dënonte spiunimin dhe kishte ndërmarrë hapa “vendimtarë” për të përmirësuar drejtimin e bankës dhe respektimin e zbatimit të rregullave.
Top Channel