Për gjithë çfarë u arrit në takimin e Ohrit, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, do të raportojë përpara ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Në takimin e 18 marsit mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç të ndërmjetuar nga BE-ja, palët u pajtuan me aneksin për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.
Vetë propozimin europian, Kosova dhe Serbia e kishin pranuar në parim në 27 Shkurt, gjatë raundit të bisedimeve që u mbajt në Bruksel.
“Patëm diskutime të gjata dhe në fund edhe marrëveshje e cila do të konsiderohet si pjesë përbërëse e rrugëtimit evropian për të dyja palët. Do të bëhet pjesë e kapitullit 35 të negociatave të anëtarësimit me BE-në për Serbinë dhe pjesë e dokumenteve dhe kërkesave për normalizim për Kosovën. Tani do të monitorojmë për së afërmi zbatimin. Të dyja palët janë shprehur se duan ta zbatojë dhe le të shohim se si do ta bëjnë këtë”, tha Borell përpara nisjes së takimit të Këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së.
Për takimin e Ohrit dhe për planet për të siguruar zbatimin e asaj me të cilën palët ranë dakord, kryediplomati evropian do të flasë edhe në samitin e BE-së që zhvillohet në Bruksel më 23 dhe 24 mars. Sipas tij, blloku evropian do të marrë vendim për zbatimin e marrëveshjes dhe aneksit dhe t’i bëjë pjesë përbërëse të kornizës negociuese të BE-së për negociatat e anëtarësimit me Serbinë.
Ndërsa për Kosovën, zbatimi do të jetë pjesë e Komisionit për normalizim. Një prej pikave të aneksit vendos zbatimin si kusht për përparimin e Kosovës dhe Serbisë në procesin e integrimeve në BE dhe flet për pasojat në rast se nuk do të ketë zbatim.
Top Channel