Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka cilësuar të rëndësishme pajtueshmërinë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje të plotë për zbatimin e këtyre obligimeve, në përputhje me përpjekjet tona afatgjata për të avancuar sigurinë dhe stabilitetin për popullin e Kosovës dhe rajonit”, ka thënë ambasadori Hovenier përmes një postimi në Twitter.

Kurti dhe Vuçiç kanë zhvilluar takime maratonë më 18 mars në Ohër, në prani të negociatorëve evropianë. I pranishëm në Ohër ka qenë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili, po ashtu, i ka komentuar si pozitive zhvillimet e së shtunës.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se edhe pse palët vendosën të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, ato janë pajtuar që të fillojnë zbatimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.

Top Channel