“Manovra” për të shpëtuar nga falimenti. Në Zvicër, Credit Suisse blihet nga rivali

19/03/2023 21:12

Në Zvicër është gjendur një plan shpëtimi për bankën Credit Suisse, e cila pa aksionet t’i bien në mënyrë drastike pas raporteve se kishte probleme financiare.

Pas negociatash të gjata gjatë fundjavës është rënë dakord që Credit Suisse të blihet nga rivali i saj, banka tjetër e njohur zviceriane UBS, për 2 miliardë dollarë. Nxitimi mbi këtë marrëveshje vjen pas frikës se me hapjen e bursave të hënën, aksionet e Credit Suisse mund të binin pikiatë, për ta dërguar në faliment.

E përfshirë në negociata ishte dhe qeveria zvicerane. Presidenti zviceran Alain Berset tha se qeveria ishte e bindur se marrja e kontrollit ishte “zgjidhja më e mirë” për “rikthimin e besimit që i ka munguar tregjeve financiare kohët e fundit”.

Credit Suisse, banka e dytë më e madhe në vend pas UBS, “ka qenë një burim shqetësimi për disa muaj”, tha ai, duke shtuar se turbulencat në tregje në ditët e fundit treguan se “besimi i nevojshëm” në bankë nuk mund të rikthehej.

Sipas ministre së ekonomisë zvicerane Karin-Keller Sutter falimentimi i Credit Suisse mund të kishte shkaktuar “trazira të pariparueshme ekonomike”.

Gazeta Financial Times, e cila ishte e para të premten që raportoi mundësinë që banka më e madhe e Zvicrës të blinte Credit Suisse, tha se UBS kishte rënë dakord ta blinte atë për 2 miliardë dollarë, me huadhënësin tjetër me bazë në Cyrih që kishte refuzuar një ofertë të mëparshme prej 1 miliard dollarësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA