Pas amullisë që shkaktoi takimi i Brukselit në fund të shkurtit, me pajtime qëndrimesh mbi propozimin e fort lakuar europian por pa nënshkrime, e pas kësaj, edhe me deklarata kontraktidore nga liderët e përfshirë në një rrugë paqtimi që më shumë shtyhet prej ndërkombëtareve sesa atyre vetë, takimi i Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiçit në Ohër të Maqedonisë së Veriut u kthye në mishërimin e ri të shpresës së diplomacisë perëndimore për një zgjidhje të ngërçit të vjetër, të kthyer gati në një nyje gordiane për të.

Një sfidë, urgjencën e së cilës e shtyjnë sot zhvillime kyçe gjeopolitike siç është lufta e Ukrainës dhe rreziku i shtrirjes së ndikimit rus, e bashkë me të edhe frika e destabilizimit të Ballkanit, fuçia e barutit në derën e Europës. Pritshmëritë janë të mëdha  që përballja e sotme të sjellë pikën e kthesës. E në qoftë kështu, Ohri do të cimentojë statusin e qytetit symbol të pajtimit për shqiptarët.

Ishte pikërisht këtu që 13 gushtin e vitit 2001, u vulos marrëveshja kornizë e cila i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni, duke vendosur themelet e një kontrate të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si dy popujt më të mëdhenj në vend, të cilin nga ai moment të mund të ecnin përpara së bashku për ndërtimin e mëtejshëm të kombit.

Marrëveshja e Ohrit u arrit pas dhjetë ditë negociatash intensive, mes forcave kryesore politike dhe me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar ku rol vendimtar kanë pasur SHBA-ja dhe BE-ja, të përfaqësuar nga lehtësuesit James Perdew dhe Francois Leotard. Ishte ai document që gjeneroi dhe Marrëveshjen e Prespës, e cila i hapi rrugë zgjidhjes së konfliktit me Greqinë, duke zhbllokuar kështu edhe procesit e integrimit të vendit në NATO, si dhe ujdisë për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, që synoi hapjen e rrugës së integrimit në BE.

Përfitimet ishin të mëdha; sot shqiptarët janë kthyer në faktor përcaktues të politikëbërjes në Maqedoninë e Veriut, e tashmë, mbetet për t`u parë nëse Ohri do të vulosë dhe fatin e një përplasjeje më të madhe e të thellë, asaj mes Kosovës e Serbisë.

Top Channel