Matera e Sassi, civilizimi impresionues i gërmuar në gur, është ende i banuar në juglindje të Italisë (fotot)

18/03/2023 17:14

Një nga qytetet më të vjetra të gdhendura në gur të botës, është Matera, në Puglia, e cila edhe pse më parë konsiderohej si “qytezë e turpshme” u shpall vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO në 2019.

Qyteti intrigues i Matera është i gërrmuar në faqen e shkëmbit, me vendndodhje vetëm pak më lart se taka e ‘çizmes’ së hartës së Italisë.

Kolonizatorët e parë këtu gërrmuan banesat e tyre në gurin gëlqeror që përshkon brigjet e Basilicata dhe Apulia, ndoshta që prej epokës së Paleolitit. Zona e ndërtesave të lashta quhet  Sassi dhe Sassi di Matera, që do të thotë ‘Gurët e Matera’.

Sassi ka qenë gjithmonë i banuar prej 7,000 vjetësh, kurse Matera është një qytet i lartë e i pjerrët i mbushur me banesa shpellash, kisha guri dhe një sens intensiv historie.

Matera është përshkruar si “shembulli më i veçantë i kolonive troglodite në Mesdhe” e si e tillë pret vizitorë të shumtë. Ndërsa disa nga shpellat janë rinovuar për t’u kthyer në hotele, banesa apo restorante.

Më parë Italia nuk mburrej me këtë komunitet që besohej se kishin jetuar në kushte të rënda higjenike, pa ujë të pastër apo kanalizime.

Por zbulimi i një depozite gjigante nentokesore uji në vitet 1950-të shokoi shumë studiues, teksa kuptuan se Matera nuk ishte një vend i prapambetur por kishte qenë një komunitet i suksesshëm me një sistem impresionues nëntokësor të mbledhjes së ujit të shiut dhe të kanalizimeve.

Banorët kishin krijuar një sistem të thjeshtë të gërmuar në gur për mbledhjen e filtrimin e ujit të shiut.

“Për një qytet sistemi i qarkullimit të ujit është i rëndësishëm,” thotë arkitektja Sabrina Centonze. “Në mungesë të një sistemi më të mirë, Matera shfrytëzonte ujin e pranverës dhe atë të shiut, duke e mbledhur në depozita të ndryshme nentokesore që kryenin funksione të caktuara”.

Mbeturinat dhe ujërat e zeza ricikloheshin, ndërsa komuniteti i vetëmjaftueshëm prodhonte ushqim në kopshtet mbi shtëpitë e tyre ose në zonat rrethuese të qytetit të gurtë.

Studiuesja Rita Orlando, e fondacionit Matera Basilicata 2019 , thotë se banorët ishin kryesisht vegjetarianë dhe kishin një qasje komunitare e bashkëpunuese për jetën.

Depozitat nëntokësore të ujit që datonin prej shekullit të 16-të ishin 16 metra të thella rreth 50m të gjata, të cilat mblidhnin ujin e pijshëm nga shiu apo nga kodrat e argjilës në perëndim të qytetit.

FOTO GALERI
1/7
Një nga qytetet më të vjetra të gdhendura në gur të botës, është Matera, në Puglia

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA