“Shkoj në Ohër me shpresën të gjendemi përballë një mundësie unike për Kosovën e Serbinë me qëllimin që të ecin përpara, dhe që kryeministri Kurti e presidenti Vuçiç të arrijnë progres në normalizimin e marrëdhënieve.
Ky rast duhet rrokur, sepse prej tij, askush nuk përfiton më shumë sesa populli i Serbisë e ai i Kosovës”, me këtë mesazh në Twitter shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borell përmblodhi në pak rreshta pritshmëritë dhe oportunitetet që ofron takimi i Ohrit, i cili vjen në vazhdën e një ofensive të vërtetë diplomatike të SHBA-së e BE-së, që tashmë është fokusuar tek implementimi i aneksi i zbatimit të propozimit europian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Të gjithë sytë sot janë nga Ohri”, theksoi Borell. Kreu i NATO-s, Jens Stoltenger reagoi po përmes të njëjtës platformë, duke nënvizuar rëndësinë e bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja në Ohër.
“Unë pres që presidenti serb dhe kryeministrit Kurti të angazhohen në mënyrë konstruktive në këto bisedime e të arrijnë përparim. Kjo është e një rëndësie kyce për stabilitetin dhe të ardhmen europiane dhe euroatlantike të rajonit. NATO-ja dhe Kfori vazhdojnë të punojnë për një Kosovë të qëndrueshme dhe ne paqe, ka shkruar ai.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony J. Blinken dhe Borrell, deklaruan një ditë më parë në një bisedë telefonike mes tyre se është koha e duhur që Kosova dhe Serbia të hedhin hapa domethënës në interes të integrimeve perëndimore.
Në prag të takimit Këshilltari Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, zhvilloi biseda telefonike, me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për t’i inkurajuar ata që të pajtohen rreth udhërrëfyesit për zbatimin e planit evropian, i cili përfshinë kërkesën per Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është edhe çështja më e mprehtë e bisedimeve.
The eyes of the EU & the Western Balkans are on Ohrid today.
After intense shuttle diplomacy between Belgrade and Pristina, we will discuss with @predsednikrs and @albinkurti the implementation annex – an integral part of the Agreement on the path to normalisation of relations. pic.twitter.com/Z8xJB7I75j
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) March 18, 2023
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takohen sot në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Ndërmjetësues të takimit janë shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në cilësinë e vëzhguesit është i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Në tryezë të diskutimeve gjendet aneksi i zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Top Channel