Ka mbërritur në 15 numri i viktimave nga përmbytjet që po shtojnë vuajtjet e banorëve në provincat e shkatërruara nga tërmetet në jug të Turqisë.
Vërshimi i ujërave pas reshjeve të rrëmbyera ka marrë përpara tenda e kontenierë në rajonet e Shanlıurfa dhe Adiyaman, ku mijëra vetë mbetën pa shtëpi pas lëkundjeve shkatërrimtare të tokës. Ujërat i kanë marrë njerëzit me vete ndërsa rrugë u kthyen në lumenj të shfrenuar në zonat që ende nuk e kanë marrë veten nga tërmeti i magnitudës 7.8 I muajit të kaluar.
Më shumë se 48 mijë persona vdiqën në Turqi e gati 6.000 të tjerë në Sirinë pas katastrofës së 6 shkurtit. Qindra mijëra të mbijetuarit e tërmeteve u zhvendosën nëpër tenda e kontinerë në të gjithë zonën e fatkeqësisë, që preku 11 provinca në juglindje të Turqisë.
Por reshjet e dendura të shiut kanë paralizuar edhe më shumë jetën e njerëzve atje, duke përmbytur rrugë e spitale, ndërsa autostrada mes lagjeve Hilvan dhe Bozova të Şanlıurfa-s thuhet të jetë shkatërruar tërësisht.
Zyrtarët vendas thonë se edhe këto përmbytje, të cilët erdhën rreth 40 ditë pas tërmeteve katastrofike të 6 shkurtit, janë më të rëndat e regjistruara këtu për të paktën 65 vitet e fundit. Në mesin e viktimave, është edhe një fëmijë 1 vjeç.
Kjo situatë e shton edhe më shumë presionin mbi presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili nuk do ta ketë të lehtë përpjekjen për rizgjedhje në votimet e 14 majit teksa përballet me një reagim të ashpër publik mbi përgjigjen e çalë të qeverisë së tij ndaj katastrofës më të madhe natyrore me të cilën u përball vendi gjatë sundimit të tij dy dekadash. Erdogani ka bërë disa apologji publike deri tani duke nënvizuar se asnjë komb tjetër nuk do të ishte përballur dot me shpejt me një fatkeqësi të këtij niveli.
Top Channel