Departamenti amerikan i Thesarit, u vendosi sanksione tre personave në Bosnjë, për, siç thuhet, kërcënim ndaj sundimit të ligjit, qëndrueshmërisë rajonale dhe aspiratave të atyre që kërkojnë qeverisje funksionale demokratike.

Departamenti i Thesarit tha se Osman Mehmedagiç, ish-drejtor i përgjithshëm i Agjencinë së Sigurisë dhe Zbulimit të Bosnjës e Hercegovinës, keqpërdori një kompani telekomunikacioni në pronësi të qeverisë për të mirën e Partisë për Veprim Demokratik. Gjithashtu ka informacione të besueshme se Osman Mehmedagiç ka bashkëpunuar me rrjete kriminale për përfitime personale dhe partiake.

Kjo veprimtari, thuhet në njoftimin e Departamentit të Thesarit, pasqyron një model të sjelljes se Osman Mehmedagiçit dhe Partisë për Veprim Demokratik, për të përdorur postet dhe autoritetin për përfitime personale dhe partiake.

Departamenti i Thesarit tha se Dragan Stankoviç, drejtor i Administratës së Republikës Serbe për çështje pronësore juridike ishte përgjegjës për një përpjekje flagrante për të uzurpuar pronën e Bosnjës dhe Hercegovinës në territorin e Republikës Serbe në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe një vendimi të vitit 2005 të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë.

Përpjekjet e Dragan Stankoviçit për të miratuar këtë legjislacion antikushtetues pasqyrojnë pretendimet e rreme të bëra nga presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik dhe udhëheqësve të tjerë të këtij entiteti për këtë çështje.

Departamenti i Thesarit sanksionoi edhe shtetasin Edin Gaçanin, si një trafikantët më famëkeq të narkotikëve në botë. Përveç përpjekjeve për trafikimin e narkotikëve nëpër vende të ndryshme, karteli i Edin Gaçaninit është përfshirë në pastrim parash dhe është i lidhur me Grupin e Krimit të Organizuar Kinahan, i cili më parë ishte sanksionuar nga Thesari për rolin e tij si një organizatë e rëndësishme kriminale ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar dhjetëra persona në Bosnjë dhe Hercegovinë përfshirë presidentin e Republikës Serbe, Milorad Dodik, “për aktivitete korruptive” dhe “kërcënim të vazhdueshëm ndaj qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore të Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Shtete e Bashkuara si garantuese të Marrëveshjes së Paqes “janë të përkushtuara për të luftuar korrupsionin endemik, kërcënimet ndaj autoritetit shtetëror të Bosnjës dhe përhapjen e drogave të paligjshme dhe krimit të organizuar, që kërcënojnë orientimin euro-atlantike të Bosnjës e Hercegovinës. Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për popullin e Bosnjës e Hercegovinës dhe institucionet demokratike të vendit”.

Pas luftës së viteve të 90-ta, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republika Serbe dhe Federata e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri e dobët qendrore në Sarajevë.

Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara krahas mbështetjes së reformave nxisin llogaridhënien për veprimet e atyre që dëmtojnë institucionet demokratike dhe çojnë përpara agjendën e tyre për përfitime politike dhe personale në kurriz të paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA