Në krizë për fuqi punëtore, bizneset e qarkut të Durrësit i kanë kthyer sytë nga vendet e varfra të Azisë dhe Afrikës.
Në këtë fabrikë, që prodhon këpucë për tregun e huaj, punëtorët shqiptarë që largohen nga vendi, po zëvendësohen ditë pas dite me punëtorë nga Nepali. Deri tani në këtë fabrikë janë punësuar 60 persona nga ky vend aziatik.
“Jam këtu për të punuar. Punoja në Nepal, por nuk isha e kënaqur me kushtet dhe pagën. Dhashë dorëheqjen dhe aplikova për punë këtu. Kam prindërit dhe vëllain në Nepal.”- shprehet një punëtore.
Në kërkim të parave, edhe 28-vjeçari Krishna ka lënë gruan dhe fëmijën 2 vjeç në vendlindje për të punuar në Shqipëri, vendin për të cilin nuk kishte dëgjuar më parë.
“Ne kemi ardhur nga Nepali dhe arritëm këtu në fillim të vitit 2023 për të punuar me kontratë 2-vjeçare. Ne të gjithë kemi familjet tona në Nepal dhe punojmë për t’i ndihmuar ato.”- thotë Krishna Somai, punonjës nepalez
Pavarësisht kostove të larta, nevojat për punonjës janë të mëdha. Ky sipërmarrës italian, që jeton prej vitesh në Shqipëri, për të shmangur falimentin, ka kërkuar të tjerë punëtorë të huaj, të cilëve u siguron edhe ushqimin e fjetjen brenda territorit të fabrikës.
“Ne kemi nevojë dhe për 100 veta të tjerë se nuk kemi punëtorë shqiptarë, ndërsa kemi shumë kërkesa për punë. Për momentin jemi të kënaqur. Kanë një gjë më të mirë të huajt se nuk mungojnë asnjëherë dhe përmirësohen çdo ditë në cilësinë e punës…. Për mua më mirë t’i jap punë shqiptarit, po nuk kemi dhe s’vazhdojmë dot kështu. Për shkak të liberalizimit të vizave ikin nga vendi.”- shprehet Donato Sabato, biznesmen.
Sektorë të shumtë të ekonomisë po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore. Në Durrës, nevojat u shfaqën fillimisht në sektorin e peshkimit ku erdhën dhe peshkatarët e parë nga Egjipti. Sot, tregu vendas është i hapur dhe përveç punëtorëve nga vende të ndryshme të Azisë dhe Afrikës, dhe për ata që së shpejti pritet të vijnë nga kontinenti i largët, Amerika e Jugut.
“Kërkesat më të mëdha janë nga fasoneritë, për arsye të emigrimit të popullsisë. Hoteleria dhe bujqësia ka kërkesa. Përafërsisht vetëm fasoneria ka nevojë për 35 mijë punëtorë.”- Elidon Habilaj, agjent punësimi.
Hapja e tregut të punës do të sjellë dhe marrëdhënie të tjera ndër personale mes të huajve dhe vendasve, gjë të cilën e pohon edhe kjo punonjëse nga Nepali.
“Tani nuk e mendoj, por më vonë pse jo. Kuptohet me shqiptarë që e kanë zemrën e pastër.”- thotë nepalezja.
Top Channel