Denisa Alhasa ishte 4 vjeçe kur shpërthimi i Gërdecit i mori të ëmën, Shqipen, e cila punonte në fabrikën e armëve në Gërdec.

E ëma iu vra së bashku me shumë të tjerë dhe prej 15 vitesh nga humbja e saj, Denisa sot 19 vjeçe , nuk e ndan fotografinë e fundit ku të dyja nënë e bijë janë të përqafuara.

Vajza gjeti fuqi të përballej me vendin ku humbi të ëmën, tre vjet më parë. E tani si edhe familjarët e të vrarëve të tjerë, mesditën e çdo 15 marsi kthehet në fshatin e dhimbjes së saj për të përkëdhelur memorialin ku është gdhendur emri i nënës.

Nga 15 marsi 2008 edhe në Gërdecin e gjunjëzuar atëkohë,  forca e jetës ka triumfuar. Denisa që në 15 marsin e fatkeqësisë ishte një fëmijë, shumë detaje të tragjedisë i mësoi nga i ati. Të tjerat post tragjedisë i mësoi duke gjurmuar nëpër lajme. Dhe sa më shumë i shuhej portreti i nënës në kujtesë, aq më shumë ngulitej ideja se drejtësia nuk qe e drejtë ndaj dhe vendosi të studiojë për juridik.

15-vjetorin e tragjedisë, dosja e Gërdecit është hapur sërish duke u kthyer në një histori gjyqësore që ka ngjallur shpresë tek të gjithë ata që humbën njerëzit e dashur të zemrës. Sepse me kohën që kalon, mbetet vetëm dhimbja dhe drejtësia për 26 të vrarë dhe më se 300 të plagosur nga shpërthimi në ish-fabrikën e demontimit. Të tjerat janë kujtime, derisa drejtësia të flasë sërish.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA