Mesditën e së martës kur sapo kishte dalë nga kjo rezidencë 43 vjeçari Altin Morina shef i stërvitjes në repartin RENEA u ndalua nga forcat Shqiponja dhe nga kontrolli i mjetit të tij Audi në sedilen e përparme të makinës iu gjetën 113 mijë euro, lekë dhe paund.
Paratë të prerjeve 50, 200 dhe 500 euro të mbështjella me qese marketi u sekuestrua ndërsa Altin Morina u vu në pranga për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Para uniformave blu Morina është shprehur se nuk ka kryer asnjë vepër penale pasi sipas tij paratë janë të ligjshme dhe janë tërhequr në bankë. Ai është shprehur se paratë sapo i kishte marrë nga një mik i tij biznesmen në zonën e Kodrës së Diellit kur ndërhyu policia e cila e kishte survejuar pas sinjalizimeve të marra në rrugë operative.
Policia ka thirrur për verifikim dhe biznesmenin që shefi i stërvitjes në repartin RENEA shprehet se i ka dhënë paratë dhe po bën verifikimin e nevojshëm.
Pavarësisht këtyre pretendimeve të të arrestuarit policia dhe prokuroria ka dyshime se burimi i këtyre të ardhurave nuk është i ligjshëm dhe punonjësi i RENEA-s ka shpërdoruar detyrën duke u vënë në shërbim të këtij aktiviteti.
Edhe në fillimet e karrierës së tij Altin Morina është vënë në pranga pasi kundërshtoi kolegët e tij teksa ishte duke punuar si “bodyguard” në një lokal nate në zonën e bllokut.
Kjo nuk është hera e parë që punonjës policie shkelin ligjin. Rastet me flagrante vitin e kaluar ishte arrestimi i oficerit të forcave operacionale Jeton Lami që shoqëronte të shumëkërkuarin Ervis Martinaj. Ndërsa ish punonjësi i RENEA-s Remal Rada u arrestua teksa qarkullonte në kryeqytet me një snajper në makinë.
Top Channel