Rusia dërgon gra të burgosura për të punuar në rajonet e pushtuara në lindje të Ukrainës

14/03/2023 16:03

Rusia po dërgon gra të burgosura për të punuar në rajonet e pushtuara në lindje të Ukrainës, tha një aktiviste ruse për të drejtat e njeriut.

Deklaratat e bëra më 13 mars nga Olga Romanova, kryetare e organizatës që avokon për të burgosurit rusë, konfirmojnë raportimet e tjera nga zyrtarë të ushtrisë ukrainase, të cilët kanë thënë se të burgosurat janë parë në pjesë të Ukrainës.

Qeveria ruse nuk ka komentuar për këto raportime.

Përdorimi i të burgosurve nga Rusia në pushtimin e saj të Ukrainës – që tashmë ka hyrë në muajin e trembëdhjetë – është dokumentuar mjaft mirë. Shumë luftëtarë që luftojnë për kompaninë private të mercenarëve, Wagner, janë të burgosur të cilëve u është ofruar amnisti apo ulje e dënimit në këmbim të luftimit në Ukrainë.

Wagner ka thënë muajin e kaluar se ka ndaluar së rekrutuari të burgosur, ndërkaq Ministria ruse e Mbrojtjes raportohet se ka nisur fushatën e saj të rekrutimit në burgjet ruse.

Më 13 mars, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se një tren me të burgosur u pa në rajonin e Donjeckut. Një prej vagonëve të trenave ishte e mbushur vetëm me gra.

Në një prononcim për ueb-faqen hulumtuese IStories, Romanova tha se ajo ka dëgjuar për masa të tilla vitin e kaluar kur gratë e burgosura merreshin nga burgjet në jug të Rusisë. Sipas saj, afër 100 gra janë dërguar në Ukrainë.

Më herët Romanova kishte deklaruar se rekrutimi i të burgosurve nga Ministria e Mbrojtjes po ndodh në të paktën dy burgje në rajonin qendror të Volgogradit dhe në atë jugor të Kemerovos. Është e paqartë nëse të burgosurit që po rekrutohen janë kryesisht burra, apo ka edhe gra.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, themeluesi i Wagner-it, Yevgeny Prigizhin, publikoi një letër që ia kishte dërguar një ligjvënës nga rajoni qendror i Sverdlovskit. Ligjvënësi tha se një grup të burgosurash i kishin kërkuar që të dërgoheshin në Ukrainë për të punuar si punëtore shëndetësore dhe për fusha të tjera.

Vërtetësia e kësaj letre nuk është konfirmuar.

Zyrtarët perëndimorë kanë thënë se Wagner ka përdorur të burgosurit në fushatën që po vazhdon për të marrë kontrollin e qytetit lindor ukrainas të Bahmutit. Ushtarët ukrainas janë përballur me sulme të vazhdueshme dhe zyrtarët perëndimorë kanë thënë se dhjetëra mijëra të burgosur mund të jenë vrarë në përpjekjet ruse për të marrë këtë qytet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA