Gjashtë miliardë dollarë gjatë dy viteve të ardhshme. Kjo është shuma të cilën Britania e Madhe do të shpenzojë për ushtrinë.
Ky angazhim i kryeministrit Rishi Sunan shihet si një përgjigje e sulmit të Rusisë në Ukrainë. Po ashtu edhe ndaj asaj që është cilësuar si “sfida epokale” nga Kina.
Rritja buxhetore, thotë Zëri Amerikës, vjen si një pjesë e një rishikimi madhor të politikave të jashtme dhe të mbrojtjes së Britanisë.
Megjithatë është më pak se ç’kishin kërkuar zyrtarët e mbrojtjes.
Kryeministri Rishi Sunak tha se Britania do t’i rrisë shpenzimet ushtarake në nivelin 2.5% të prodhimit të brendshëm bruto “në periudhën afatgjatë”, por nuk caktoi një datë për këtë.
Aktualisht, Britania shpenzon pak mbi 2% të PBB-së dhe drejtuesit ushtarakë dëshirojnë që kjo shifër të rritet në 3%.
Fondet shtesë do të përdoren pjesërisht për të plotësuar rezervat me municione të Britanisë, që u përdorën për të furnizuar Ukrainën për t’u mbrojtur nga Rusia.
Një pjesë e fondeve do të shkojë për marrëveshjen Britani-SHBA-Australi për prodhimin e nëndetëseve me energji bërthamore.
“Bota është bërë më e paqëndrueshme, kërcënimet ndaj sigurisë tonë janë shtuar”, i tha zoti Sunak kanalit BBC gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara. “Është e rëndësishme që të mbrohemi nga këto”.
Britania ka hartuar për herë të fundit një kornizë të mbrojtjes, sigurisë dhe politikës së jashtme, të njohur si Rishikimi i Integruar, në vitin 2021.
Agjencitë britanike të zbulimit kanë shprehur shqetësim në rritje për fuqinë ushtarake të Kinës, aktivitetet e fshehta dhe demonstrimin e forcës ekonomike.
Top Channel