Do të shfuqizohet Bordi i Transparencës? Ibrahimaj: Çështja në gjykatë, përcaktimi i çmimit të karburantit ka qenë i detyruar

13/03/2023 13:43

Bordi i Transparencës për karburantet mund të shfuqizohet. Në daljen për mediat pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, tha se çështja po diskutohet në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Ibrahimajt, Bordi ishte i domosdoshëm në kushtet ku ndodhej vendi, ashtu si gjithë bota. Caktimi i çmimeve tavan për lëndët djegëse ka favorizuar konsumatorët që e blejnë në pikat e karburantit, tha ministrja.

“Bordi është duke u diskutuar në Gjykatën Kushtetuese. Ka pasur një seancë, pritet një seancë e dytë. I qëndroj asaj që kam përsëritur se ndërveprimi i qeverisë në përcaktimin e çmimeve të karburanteve ishte e detyruar nga kushtet ku ndodheshim.

Shifrat tregojnë se ndërhyrja jonë ka qenë efektive në ndërhyrjen e çmimit final që konsumatori paguan”.

Bordi i Transparencës u krijua në mars të vitit të kaluar, pas nisjes së luftës në Ukrainë, që shkaktoi rritje të menjëhershme të naftës. Çmimet që ka vendosur Bordi janë diskutuar shpesh. Opozita dhe madje ekspertët, i kanë cilësuar abuzive disa vendime, ku çmime nuk përputhej me atë në bursë.

Ndërkohë, muajin e kaluar, Gjykata Kushtetuese me kërkesë të grupit parlamentar të PD-së, ka shfuqizuar Bordin e kontrollit të çmimeve.

Gjykata njoftoi se aktet normative nuk plotësojnë kriteret kushtetuese të parashikuara në nenin 101 të Kushtetutës dhe për këtë arsye u vendos shfuqizim i ligjit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA