I mituri u hodh për vdekje nga ura e Londrës pas postimeve të vetëvrasjeve online gjatë izolimit (fotot)

11/03/2023 17:18

Një djalë 13-vjeçar ka vrarë veten pas ndjekjes dhe postimeve të materialeve vetëvrasëse online gjatë periudhës së izolimit në Britani, u tha sot në seancën dëgjimore të çështjes tragjike.

Zaheid Ali u hodh nga ura Tower Bridge në qendër të Londrës pasi zbriti aty nga autobusi në 20 prill 2021.

Trupi i tij u nxorr nga lumi Tamiz në lindje të Londrës, tetë ditë më vonë.

Në gjykatë u tha se ai kishte lënë një shënim vetëvrasjeje me lirika nga një këngë japoneze për një vajzë 14-vjeçare që i kishte dhënë fund jetës në mënyrë të ngjashme.

Viktima ndiqte gjithashtu një tjetër person në rrjet që tërhiqte ndjekës duke krijuar një “numërim së prapthi drejt vetëvrasjes së tij”, dhe duke nxitur të tjerë fëmijë ta bënin.

Babai i tij Mumen Ali tha në gjykatë se ishte ‘i shtangur’ me atë që i ndodhi të birit te lindur para kohe, i cili vuante nga një çrregullim tretjeje, edhe pse sjellja e tij dukej normale.

Ali shtonte se djali i tij ishte ‘gjithë kohën te celulari tij’ në javët para vetëvrasjes, por prindërit nuk besonin se sjellja e tij ishte e pazakontë.

Në janar 2021 djali i kishte shprehur mësuesve se nuk zgjohej dot në mëngjes edhe pse përpiqej, ndërsa në të tjera komunikime ai postonte për vetëvrasjen.

Raporti i toksikologjisë nga Dr Rebeça Andrews zbuloi se ai nuk kishte droga apo alkool në trup dhe se vdekja kishte ardhur nga mbytja në ujë.

Mjeku ligjor Dr Julian Morris ofronte ngushëllime për familjen, teksa shtonte: “Vështirësia për ne dhe veçanërisht për ju është se nuk mund të kuptonim mendimet private e personale, si dhe arsye përse e bëri”.

“Mosha 13 vjeçare është shumë e re për këdo”.

Babai tha për të birin e lindur para kohe: “Kur lindi unë nuk besoja se do të mbijetonte, por për 13 vitet që ishte me ne, falënderoj Zotin”.

FOTO GALERI
1/3
Në gjykatë u tha se ai kishte lënë një shënim vetëvrasjeje me lirika nga një këngë japoneze

Top Channel