Masakër mes Dëshmitarëve të Jehovait, 8 të vdekur/ Momentet e terrorit në Hamburg

10/03/2023 12:00

Hamburgu i Gjermanisë kaloi një natë terrori e cila, me shumë gjasë, do të mbetet gjatë në kujtesën kolektive të qytetit gjerman.

Një person i armatosur hapi zjarr në një kishë të “Dëshmitarëve të Jehovait” në lagjen Altersdorf, duke lënë pas të vdekur e shumë të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Sipas policisë, agresori i cili mendohet të ketë vdekur dhe vetë, ka vepruar i vetëm..

Mediat gjermane raportojnë për të paktën 8 të vdekur. Sfondi i vrasjeve ende është i paqartë, por sipas të dhënave të qarqeve të sigurisë ngjarja kategorizohet si sulm amok. Hetimet po vazhdojnë. Ende nuk ka informacion të besueshëm për motivin e sulmit. Ajo çfarë dihet deri tani, sipas revistës Der Spiegel është se autori i ngjarjes së rëndë është një ish-anëtar i këtij komuniteti fetar, i  moshës 30 deri në 40 vjeç. Dëshmitarë okularë rrëfejnë se gjithçka ndodhi shumë shpejt.

Unë jam një banor i zonës, dëgjova të shtëna e u afrova të dritarja që të shihja ç’po ndodhte kur pashë dikë që po qëllonte me armë. E filmova me celular. Në fillim nuk e kuptova se cfarë po ndodhte, vetëm kur bëra zoom pashë se dikush po qëllonte mbi Dëshmitarët e Jehovait”, tha Gregor Miesbach, dëshmitar.

Reagimet pas episodit tronditës ishin të menjëhershme. Kancelari gjerman, Olaf Scholz foli për një lajm tmerrësisht të hidhur nga Hambugu.

“Disa anëtarë të komunitetit Jehova dje në mbrëmje janë bërë viktimë e një akti brutal të dhunës, mendimet e mia janë tek ata dhe të afërmit, si dhe tek forcat e sigurisë dhe shpëtimit që kanë kaluar një natë të rëndë”, ka shkruar Scholz në Twitter.

Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser theksoi se po punohet me intensitet për të zbuluar sfondin e këtij akti ekstrem.” Edhe komuniteti i “Dëshmitarëve të Jehovait” u shpreh i shokuar pas vrasjeve në Hamburg.

“Dhimbja jonë e thellë është për familjet e viktimave si edhe dëshmitarët e traumatizuar”, tha një zëdhënës i tij, duke shtuar se “po bëjnë më të mirën për t’i qëndruar pranë me ndihmë psikologjike njerëzve atje në këtë moment të vështirë për ta”. Mendohet se kur nisën të shtënat, njerëzit ishin mbledhur në kishë për studimin e Biblës.

Punonjësit e urgjencës dhe policia në vendngjarje, pas të shtënave vdekjeprurëse në Hamburg, Gjermani, 9 mars 2023 .

Punonjësit e urgjencës dhe policia në vendngjarje, pas të shtënave vdekjeprurëse në Hamburg, Gjermani, 9 mars 2023 .

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA