Opozita këtë të premte ishte nikoqir i të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak.
Pas takimeve të njëpasnjëshme ai u shpreh se ka njoftuar partitë për takimin e 18 marsit e se është optimist që do ta mbështesin.
“Është e rëndësishme që të takohem me partitë opozitare. U takova me PDK, LDK dhe AAK-në dhe i informova për procesin, për pritjet e komunitetit ndërkombëtar dhe ata sqaruan qëndrimet e tyre. E gjitha ishte përgatitje për takimin e të 18 marsit. Është e rëndësishme që këto t’i dëgjojnë nga unë, jo nga mediat e në Kuvend, prandaj ishte i suksesshëm takimi. Jam optimist se do ta mbështesin marrëveshjen”, u shpreh Miroslav Lajçak, emisar i BE-së për dialogun Kosovës-Serbi.
Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës thotë se nuk e mbështetë planin aktual për normalizim të marrëdhënieve.
Kundër planit të Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve, ka dalë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës të cilët thonë që çfarëdolloj marrëveshje tjetër me Serbinë që nuk e ka në qendër njohjen reciproke nuk siguron normalizim të marrëdhënieve, duke e lënë fajtor kreun e qeverisë, Albin Kurtin.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e vetmja parti që i dha mbështetje planit evropian për normalizim të marrëdhënieve.
Më 27 shkurt, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç janë pajtuar për planin franko – gjerman. Më 18 mars do të takohen në Ohër me ndërmjetësim të BE-së me synim nënshkrimin e një marrëveshjeje normalizimi.
Top Channel