150 mijë euro dhe rreth 165 mijë paund janë sekuestruar nga policia teksa tentuan të futen në Shqipëri nëpërmjet Portit të Durrësit.
Policia kishte marrë informacion në rrugë operative se në kamionin e ngarkuar me pjesë këmbimi për makina që drejtohej nga Dritan Hallkokondi nga persona me rekorde kriminale ishin fshehur para.
Sapo kamioni u fut në port u ushtrua kontroll i imtësishëm dhe në pjesën e kabinës të ndara në tufa u gjetën eurot dhe paundët për të cilat drejtuesi i kamionit i cili u vu në pranga për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pranoi ekzistencën e parave por nuk foli për autoritetet as ku i kishte marrë dhe as ku do ti dorëzonte.
Nga hetimet ka rezultuar se kamioni ka dalë nga shqipërua në fund të shkurtit në rrugë tokësore nga Kakavia në Greqi dhe prej andej në Padova të Italisë nga ku u ngarkua me pjesë makinash dhe mbërriti në Portin e Durrësit këtë të mërkurë.
Ky është rasti i 5-të i tentativës për futjen e shumave të mëdha të parave të padeklaruara, i goditur nga Policia e Shtetit, gjatë muajve të fundit.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e poseduesve të këtyre shumave të parave në euro dhe në paund.
Njoftimi i plotë
Operacioni policor i koduar “Shuma”, falë inteligjencës informative të siguruar nga strukturat hetimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, sekuestroi 150 000 euro dhe 164 735 paund britanik. Ky është rasti i 5-të i tentativës për futjen e shumave të mëdha të parave të padeklaruara, i goditur nga Policia e Shtetit, gjatë muajve të fundit. Vihet në pranga drejtuesi i kamionit që transportonte paratë dhe tentoi t’i fuste ato në Shqipëri, nëpërmjet portit të Durrësit, pa i deklaruar. Strukturat hetimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara në portin e Durrësit, falë inteligjencës informative për një shtetas që po tentonte të fuste në Shqipëri një shumë të madhe parash në euro dhe në paund, kanë organizuar punën me qëllim goditjen e këtij rasti.
Në bashkëpunim me Policinë Kufitare të portit Durrës dhe Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në DVP Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shuma”, në kuadër të të cilit u kalua për kontroll të detajuar, në vijën e dytë, kamioni që drejtohej nga shtetasi D. H., 53 vjeç, banues në Tiranë, i cili udhëtonte nga Italia për në portin e Durrësit. Gjatë kontrollit të detajuar, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në kabinën e kamionit, 150 000 euro dhe 164 735 paund britanik, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e poseduesit/sve të këtyre shumave të parave në euro dhe në paund. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Top Channel